I akuzuari për vrasjen e dy policëve në vitin 2004, Bedri Krasniqi po pretendon se Agjencia Kosovare e Inteligjencës kishte tentuar ta vriste derisa ishte në burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz.
Këtë pretendim Krasniqi e ka dhënë në kohën kur po jepte mbrojtjen të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë në shqyrtimin gjyqësor në çështjen penale ndaj tij dhe Alban Dezadri që ngarkohen për vrasjen e dy policëve.
I akuzuari Krasniqi ka thënë se për përfshirjen e AKI-së në rastin e tij ka edhe prova e fakte por se të njëjtat i kanë fshehur qëllimisht.
Gjithashtu i akuzuari Krasniqi, tha se ende vazhdon të jetë i përndjekur nga grupet e caktuar politike të Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK). Partisë Demokratike e Kosovës (PDK) si dhe nga Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Sipas Krasniqit arsyeja pse dëshmitari Shkumbin Mehmeti e kishte inkriminuar për veprat penale që ngarkohet nga Prokuroria ishte fakti se të njëjtit i ishte premtuar se nëse më fut në listë e të dyshuarve për këtë rast do t’i falej burgu nga Presidenti i Shtetit.
Krasniqi ka pretenduar se në kohën e luftës kishte vrarë diku 30 zyrtarë policorë në fshatin Qallapek të Pejës përfshirë edhe komandanti i stacionit me arsyetimin se aty ishte maltretuar babai i tij dhe ishin kryer edhe maltretime ndaj popullatës civile.
Tutje, Krasniqi deklaroi se me dëshmitarin Mehmeti kishte qëndruar me 24 mars me qëllim që të bisedonte lidhur me atë se si ishte vrarë A.S pasi që të njëjtin e kishte shok, ishte atdhetar dhe donte të dinte si kishte ardhur deri te vdekja e tij, raporton “Betimi për Dretjësi”.
I pyetur nga prokurorja speciale Habibe Salihu i akuzuari Krasniqi tha se nuk e ka pyetur dëshmitarin Shkumbin Mehmeti se përse ka ndërruar deklarata e tij lidhur me të pasi që nuk i ishte dhënë rasti dhe nuk e ka konsideruar të mjaftueshme.
Po ashtu i akuzuari Krasniqi tha se personat tjerë që gjenden në akuzë i ka njohur vetëm Xhavit Kosumin, ndërkaq gjithë të tjerët që kanë qenë në akuzë i ka njohur në burgun e Dubravës.
Kurse për të akuzuarin Dezdari, Krasniqi tha se e ka njohur përmes një shoku të përbashkët që kishin dhe që së bashku me Dezdarin kishin marrë pjesë me 23 mars në Podujevë të rasti i bartjes së armëve për në qytetin e Mitrovicës.
I akuzuari Krasniqi tutje, deklaroi se ka qenë në arrati dy herë, ku në herën e parë ishte arratisur tri vite në Prishtinë kurse herën e dytë 2 vite duke mos treguar se ku.
Për arratisjen e parë i akuzuari Krasniqi deklaroi se ishte i armatosur dhe kishte rezistuar dhe arsyeja e arratisjes ishte se ndërkombëtarët e kishin bërë përndjekjen e tij dhe në momentin që Policia e Kosovës ka marr kompetencat nuk ka rezistuar.
Sipas të njëjtit, ndërkombëtarët në disa situata i thonin i akuzuari e në disa situata kërkonin që të bëhej dëshmitar i procesit gjyqësor në Hagë e që si dëshmitar assesi nuk ka pranuar që të jetë.
“Her um thoshin i akuzum e her dëshmitar me kan ne Hagë”, tha i akuzuari Krasniqi.
Me rastin e përfundimit të orarit të punës seanca u ndërpre ku e radhës u caktua me 24 gusht ku do të jepet mbrojtja nga i akuzuari tjetër Dezdari dhe e radhës me 8 shtator ku pritet të jepet fjala përfundimtare nga palët në procedurë.
Në pjesën e parë të seancë, Krasniqi ka deklaruar se në ditën kur akuzohet se vrau policët ishte nisur për Mitrovicë për të ndalur shpërnguljen e shqiptarëve
ADVERTISEMENT
Ndryshe, seanca e 15 majit dhe e 15 qershorit 2023 ishte e mbyllur për arsye të dhënies së dëshmisë nga dëshmitari SH.M.
Ndryshe, të akuzuar në këtë rast për vrasjen e zyrtarëve policorë kishin qenë edhe Bajram Kiqmari dhe Faik Shaqiri, mirëpo Gjykata Supreme në shtator 2017, kishte nxjerrë aktvendim për lirimin e tyre, pasi sipas kësaj gjykate, dy të akuzuarit ishin gjykuar vite më parë rreth kësaj ngjarjeje dhe se ekziston një aktgjykim për pushimin e hetimeve kundër tyre.
Ish-Gjykata e Qarkut e Prishtinës, më 9 nëntor 2007, fajtor për sulmin që ishte konsideruar si terrorist e kishte shpallur vetëm Shkumbin Mehmetin, të cilin e kishte dënuar me 30 vite burgim, ndërsa i kishte liruar nga akuzat Nazim Kadriun, Arben Ahmetin, Arsim Rashitin, Jeton Sylejmanin, Osman Kelmendin, Florim Ejupin, Xhavit Kosumin, Faik Shaqirin, Nezir Kelmendin, Irfan Ademin, Xhafer Zymberajn dhe Bajram Kiqmarin.
Prokuroria e EULEX-it, më 21 korrik 2017 kishte ngritur aktakuzë kundër të akuzuarve Bedri Krasniqi, Alban Dezdari, Bajram Kiqmari, Faik Shaqiri, për shkak të kryerjes së veprave penale “Vrasje e rëndë” dhe “Vrasje në tentativë”.
Sipas aktakuzës, katër të akuzuarit më 23 mars 2004 në Podujevë, në bashkëkryerje me Agron Sylejmanin, Florim Ejupin dhe Shkumbin Mehmetin, kishin sulmuar një patrullë të UNMIK-ut, të cilët ishin duke patrulluar afër fshatit Shakovicë.
Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit kishin qëlluar me armë së paku 108 herë në drejtim të automjetit dhe katër pasagjerëve të saj, duke privuar nga jeta zyrtarin policor të UNMIK-ut, Possible Essuman dhe zyrtarin policor të Kosovës, A.Rr, të cilët kishin qenë duke i kryer detyrat e tyre të mbrojtjes së rendi ligjor.
Lëndime nga plumbat e shkrepur kishin pësuar zyrtari i Policisë së Kosovës, Basri Mulliqi dhe përkthyesi i UNMIK-ut, Ramë Zeneli.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit qëllimisht kishin rrezikuar jetën e më shumë personave, të cilët ishin në automjete që vinin prapa veturës së UNMIK-ut, duke vepruar për motive nacionaliste dhe qëllimisht kishin kryer këto dy vrasje.