Ka kohë që në vendin tonë është bërë i njohur çaji Diox Detox që përdoret për dobësim. I njëjti çaj në Kosovë shitet pa banderolë dhe është i ndaluar në Evropë, Amerikë e vende të tjera për shkak të përmbajtjes që ai ka.
Çaji Diox përmban drogë e cila quhet Sibutramine. Kjo e rrit rrezikun për sulm në zemër dhe shumë efekte anësore të tjera, shkruan BASG, transmeton Gazeta Shneta.
Sibutramina është një përbërje kimike organike që përdoret për të shtypur oreksin në trajtimin e obezitetit. Është autorizuar më parë për trajtimin e obezitetit, por gjithashtu shkakton një sërë efektesh anësore serioze dhe të gjitha barnat e autorizuara që përmbajnë sibutramine u hoqën nga tregu në vitin 2010. Sibutramina është vendosur në listën e substancave të ndaluara në sport nga Organizata Botërore Anti-Doping (WADA). Ka një efekt stimulues në sistemin nervor qendror.
Autorizimet e marketingut për produktet medicinale që përmbajnë sibutraminë janë tërhequr në Austri për shkak të shqetësimeve të sigurisë, kryesisht për shkak të rritjes së rrezikut të ngjarjeve kardiovaskulare si sulmi në zemër ose goditje në tru. Edhe autoritetet në Danimarkë e kanë ndalur përdorimin e tij.
Përkundër kësaj në vendin tonë tashmë shitet në masë të madhe. Mjafton një kërkim në rrjetet sociale dhe ke faqe të shumta që shesin këtë çaj. Madje rreth këtij çaji ka edhe diskutime të ndryshme në grupe në facebook ku gratë tregojnë për përvojat e tyre. Disa prej tyre pohojnë se kanë humbur peshë, ka të tilla që thonë së çaji nuk ka efekt e ka edhe raste kur tregojnë së përsëri janë kthyer në peshën e mëparshme.