Konsumimi i drogës është një dukuri që po lulëzon në të gjitha qytetet dhe po prek në veçanti të rinjtë, duke e dëmtuar shëndetin e tyre dhe cenuar sigurinë e qytetarëve, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë është zbuluar mbrëmë në rrugën ‘Pajazit Islami’ në Fushë Kosovë, pasi një njësi policore që po patrullonte në atë zonë ka ndalur për kontroll një 24-vjeçar.
Sinjali mëson se gjatë kontrollit trupor, të riut i është gjetur dhe sekuestruar një sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit marihuanë.
I dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar lidhur me rastin.
Me vendim të prokurorit, ndaj 24-vjeçarit është iniciuar rasti ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.