Sulmuesi anësori i Napolit, Hirving “Chucky” Lozano mund të kthehet nga erdhi. PSV Eindhoven ka bërë një ofertë me vlerë 15 milionë euro për kartonin e meksikanit.
Sipas “Sky Sport Italia”, oferta është 10 milionë euro “cash” plus 5 milionë të tjera në shtesa të ndryshme.
Është dukshëm më pak se çmimi i kërkuar prej 20-25 milionë eurosh që ishte vendosur nga drejtuesit e kampionëve të Italisë.
Megjithatë, me më pak se një javë para përfundimit të afatit të merkatos, ky është një propozim i mirë për një lojtar që ka kontratë deri në fund të këtij sezoni.
Do të ishte një rikthim në Holandë për Lozanon, i cili kur mbërriti në Evropë në vitin 2017 nënshkroi pikërisht me PSV Eindhovenin, ku qëndroi dy vjet deri në transferimin e tij prej 45 milionë eurosh te Napoli.
28-vjeçari meksikan nuk është pjesë e planeve të trajnerit të ri, Rudi Garcia, dhe duket se nuk ka gjasa të negociojë një kontratë të re për të qëndruar në stadiumin “Diego Armando Maradona”.