Mujë Bunjaku, vëllai i heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku, ka treguar telefonatën e fundit që pati me vëllain e tij para se të vritej në sulmin terrorist më 24 shtator të vitit të kaluar në Banjskë.
Ai thotë se e kishte porositur që të ruhej meqë situata s’ishte e mirë, por se Afrimi i ishte përgjigjur se s’kishte frikë.
“Kemi folë nja gjysmë ore dhe i thashë ruju, sikur kur ta tregon Zoti, i thashë ruju se nuk është situata e mirë. Ai tha “jo se nuk frikësohem se është tokë e jona. Asnjë pikë frikë s’e kam”. Duhet ta çojmë në fund amanetin e Afrimit dhe ruajmë çdo milimetër të Kosovës”, tha Bunjaku në Klan Kosova.
Ai ka treguar edhe për atë se si po e përjeton familja e tij mungesën e Afrimit, duke shtuar se ai që e përmend më shumë është djali i tij i vogël.
“Vajza e tij, është në Gjermani, ndërsa shoqja [bashkëshortja] është me djemtë në Kosovë. Djali i madh është i punësuar, djali i vogël shkon në shkollë. Është shumë e vështirë se djali i vogël, 11 vjeç, e përmend shpesh. Ka qenë shumë i lidhur dhe Afrimi e ka dashtë shumë”.
Ai thotë se si familje e ndiejnë dhimbjen, por edhe krenarinë për veprën e Afrimit, ndërsa tregoi se familja e tij ka shumë mbështetje, qoftë nga institucionet, qoftë nga vetë populli.
“Ka qenë një vit shumë i vështirë, por jemi krenarë. Përkrahja është e madhe, duke filluar nga institucionet, popullata, Shqipëria, deri në Australi të largët, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, nga të gjitha anët dhe kjo po na mban shumë, përkrahja është e madhe edhe krenaria është e madhe. Afrimi nuk ishte vetëm djali ynë, por i krejt kombit shqiptar”.