Ndonëse kanë kaluar 25 vjet nga lufta e lavdishme e komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari dhe e Jasharëve të tjerë, kulla dhe shtëpia e pamposhtur, të cilat u bënë blozhdë nga plumbat dhe artileria e rendë e Ushtrisë dhe Policisë së Serbisë, tani janë në gjendje edhe më të rëndë se që ishin atëherë pas 7 marsit të vitit 1998. Kullat e Jasharëve, që në vete ngërthejnë gjithë sakrificën e një familjeje të tërë për lirinë e vendit edhe mund të shembën. As edhe një cent nuk është investuar në restaurimin e këtyre kullave, ndonëse pothuajse të gjitha qeveritë kanë investuar, të paktën kështu kanë thenë përfaqësues të të gjitha qeverive të deritashme. E vetmja gjë që është bërë deri me tani për mbrojtjen e kullave ka qenë vendosja e një konstruksioni për t’i mbrojtur ato nga reshjet.
Autore: Elsa Gecaj
Përflitet se deri me tani qeveritë që janë ndërruar shpesh kanë investuar në Kompleksin Memorial në Prekaz rreth 23 milionë euro, por puna që është bërë në realizimin e projektit të Kompleksit Memorial, vlerësohet në më pak se 4 milionë euro.
Pushteti i kaluar lokal në Skenderaj kishte bërë të ditur, tani kur folet për gjendjen e rendë të kullave, se ka lënë të gatshëm një tender prej 13 milionë euro, por që ata nuk kanë treguar se çfarë ka ndodhur me të, pasi që qeverisjen e kishte marrë Bekim Jashari, i cili vazhdimisht ankohej se nuk po investohet në mbrojtjen e kullave, respektivisht restaurimin dhe konservimin e tyre. Eshtë ndoshta fat që kullat u kanë rezistuar, përveç ngjarjeve të tmerrshme, edhe kohës. Kullat e Jasharëve po qendrojnë në këmbë pa asnjë përkujdesje, askush nuk di të thotë asgjë se kur do të bëhen investime për restaurimin e kullave, e në rastin më të keq, nëse ato shemben, atëherë vështirë se dikush do ta merrte përgjegjësinë.
Në shkurtin e vitit 2018, Qeveria e Kosovës, e cila atëherë udhëhiqej nga Ramush Haradinaj kishte tërhequr paratë që ia kishte ndarë Agjencisë për Mbrojtjen e Komplekseve Memoriale për investim në Kompleksin Memorial “Adem Jashari në Prekaz, duke shtuar edhe më shumë rrezikun nga shembjen e kullës së ikonës së luftës së UÇK, Adem Jashari. Në tetorin e vitit 2018, (AMKM) kishte hapur një tender për sanimin e dëmeve të shkaktuara nga era dhe vërshimet në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”. Përmes këtij tenderi ishte paraparë të investoheshin mijëra euro në shtëpinë e ish-komandantit të UÇK-së, Adem Jashari, i cili është në rrezik nga shembja si mungesë e investimeve nga shteti.
Por, tenderi I Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale u anulua. Paratë që Qeveria e Kosovës kishte premtuar për sanimin e dëmeve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, i kishte tërhequr vetëm një muaj më vonë. Më 24 nëntor, Qeveria reduktoi mjetet që kishte ndarë për këtë aktivitet të prokurimit, çka shtyu zyrtarët e AMKM-së që të anulonin tenderin për “sanimin e dëmeve të erës dhe vërshimeve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz. Dhe kështu gati ishte gjithmonë, saherë që bëhëshin përpjekje për të bërë diçka në Kompleksin Memorial në Prekaz shpikej diçka e re që pengonte.
Kompleksi Memorial në Prekaz, cilësohet si Meka e shqiptarëve, vend pelegrinazhi jo vetëm për shqiptarët nga të gjitha trojet dhe kudo që ndodhen ata, por edhe nga njerëz të politikës, historianë, njerëz të artit e të kultures nga e gjithë bota. Mbi 13 milionë njerëz janë evidentuar deri me tani që kanë vizituar Kompleksin Memorial në Prekaz, të cilët nga pamjet, sikurse e kanë përjetuar edhe ata luftën e tmerrshme.
Nëse edhe mëtutje qeveritë vazhdojnë t’i injorojnë kullat e Jasharëve, atëherë ka gjasa të mëdha që ato të shembën dhe vizitorët më nuk do të kenë nje vend se ku të kujtojnë luftëne lavdishme dhe Prekazin legjendar. //Elsa Gecaj//