E enjte, 14 Nëntor, 2024

Inspektorati e dënon kompaninë “Ferronikeli” me 10 mijë euro, kjo është arsyeja [VIDEO]

Inspektorati i Mjedisit ka shqiptuar gjobë prej 10 mijë eurosh ndaj kompanisë “Ferronikeli” për ndotje të lumit Drenica. KOHA pati raportuar në qershor se si shkak i një avarie në këtë kompani ka pasur rrjedhje të mazutit në lumë. Ani se Ministria e pati konsideruar këtë si ndotje të zakontë, më pas e ka gjobitur kompaninë, dhe ka konstatuar se ajo nuk ka as leje ujore për shkarkim të ujërave. Në Iniciativën Green për Drenas, që kishte alarmuar Ministrinë për ndotje, thanë se nuk janë kundër fabrikës, por që ajo të veprojë në bazë të standardeve

Shkarkimi i mazutit në lumin Drenica i ka kushtuar kompanisë “Ferronikeli” 10 mijë euro gjobë, të cilën ia ka shqiptuar Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit.

Asaj i është ndaluar edhe shkarkimi i ujërave në këtë lumë, pasi është konstatuar se shkarkimet i ka bërë ndonëse nuk kishte leje ujore.

Hedhja e mazutit në lumë, për çka pati raportuar KOHA në qershor të këtij viti, ishte konsideruar si ndotje e zakontë nga Ministria e Mjedisit. Por më pas kompanisë i është shqiptuar gjoba.

Në vendim të Inspektoratit thuhet se ndotja e lumit është bërë si pasojë e dëmtimit, çarjes së gypit me mazut, e që më pas ka rrjedhur në lumin Drenica.

“Duke e ditur se për rastin në fjalë ka të bëjë me rrjedhje të mazutit e cila më pas është shkarkuar në rrjedhën e lumit Drenica, duke e konsideruar si materie të rrezikshme nga IHMK, nuk është caktuar asnjë parametër kimik lidhur me këtë substancë, e cila dihet se ka qenë prezent në rrjedhë të lumit”, thuhet në vendim.

Për gjobitjen e kompanisë ka reaguar edhe iniciativa qytetare “Green për Drenas”, e cila pati ngritur alarm për ndotjen e lumit te Ministria dhe Komuna.

Kryetari i kësaj iniciative, Xhavit Drenori, ka thënë se do të vazhdojë bashkëpunimin me qytetarët kundër ndotjes së mjedisit.

“Nuk jemi kundër fabrikës, por jemi që ajo të funksionojë sipas standardeve, sipas dokumenteve zyrtare që udhëzohet për operim, pra siç janë lejet e ndryshme mjedisore”, ka thënë Drenori.

Edhe asamblisti Arbër Halilaj ka treguar se menjëherë pasi ishin informuar nga qytetarët për ndotje kanë lajmëruar Ministrinë dhe palët e tjera.

“Në korrik diku është marrë një vendim që fabrika që nuk ka pasur as leje ujore, i kërkohet që të sigurojë leje ujore dhe për veprimin e datës 18 qershor është ndëshkuar me një gjobë prej 10 mijë euro”, ka thënë ai.

Në kompani nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS rreth gjobës së shqiptuar nga Inspektorati.

Përveç incidentit që është konstatuar, operatori, sipas vendimit të Inspektoratit, nuk ka leje ujore për shkarkimin e ujërave.

“Me procesverbal kompania ‘Ferronikeli’ është urdhëruar që të mos bëhej shkarkimin e ujërave të patrajtuara që dalin nga procesi teknologjik dhe kompleksi në përgjithësi, duke përfshirë edhe ujërat sanitare dhe atmosferike”, thuhet në vendim.

KOHA pati raportuar se kur ekipi ka qenë në terren, punëtorët e fabrikës janë munduar që t’i pastrojnë gjurmët e ndotjes që ishin shkaktuar nga mazuti.

Por, përkundër përpjekjeve ato ishin evidente në rrjedhën dhe në brigjet e lumit.

Edhe në Komunën e Drenasit patën thënë se me të marrë lajmin, inspektorët e Mjedisit kanë dalë në vend të ngjarjes ku kanë marrë pamjet dhe kanë parë për së afërmi gjendjen e ndotjes.

“Ne kemi informuar Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, konkretisht inspektorin për mbrojtjen e ujërave dhe presim veprime konkrete nga ata në mënyrë që të konstatohet qartë se kush janë shkaktarët e ndotjes së ujit në lumin Drenica. Drejtoria për Inspektorat në Komunën e Drenasit do të monitorojë gjendjen në vazhdimësi, ndërsa përgjegjësia kryesore bie mbi MMPHI-në”, thuhet në përgjigjen e kësaj komune.

Nuk është hera e parë që lumi Drenica ndotet nga ujërat që shkarkohen nga “Ferronikeli”, që së fundmi ka ndërruar pronarin dhe në fund të qershorit ka rinisur punën, pas një pauze prej më shumë se një viti e gjysmë.

Për shkak të ndotjes së ambientit, ku përfshihet edhe ndotja e ujit, “Ferronikeli” është gjobitur edhe dy herë, përkatësisht më 2009 dhe 2011, në vlerë 48 mijë euro.

Kjo ndërmarrje me afro 900 të punësuar është privatizuar më 2006 dhe nga atëherë të paktën tri herë i ka ndërruar pronarët.

Aktualisht menaxhohet nga Grupi Yildirim, një konglomerat ndërkombëtar me bazë në Turqi.

Ndërmarrja prodhon mbi 6000 tonë xehe në muaj dhe kontribuon me mbi 50 për qind të eksportit të gjithmbarshëm të Kosovës.

Të fundit

Shpallje

Shpallje

Shpallje e pavlefshme

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer