Institucionet mikrofinanciare në Kosovë shquhen për norma të larta të interesit në kredi që në raste të caktuara shkojnë deri në 40 për qind për kreditë konsumuese. Por një ‘hile’ që po e aplikojnë këto institucione në vitet e fundit ka të bëjë pikërisht me kreditë konsumuese.
Kjo kategori e kredive është më e kërkuara nga qytetarët në Kosovë, të cilët u drejtohen për kredi këtyre institucioneve shpesh për të financuar konsumin dhe nevojat e përditshme.
Pikërisht për kreditë konsumuese, në sektorin mikrofinanciar janë rritur normat e interesit edhe këtë vit, derisa kategoritë tjera të kredive kanë mbetur me norma pothuajse të ngjashme.
“Sipas llojit të kredive, norma mesatare e interesit në kreditë konsumuese u rrit për 1.3 pikë përqindje në 22.9 përqind. Kurse, kreditë hipotekare vazhdojnë të kenë normat më të ulëta të interesit, në mesatare prej 17.0 përqind në qershor 2023, krahasuar me vitin e kaluar shënoi rënie për 1.1 pikë përqindje”, thuhet në raportin për vlerësimin tremujor të ekonomisë të BQK-së.
Ndërsa, norma e interesit për kreditë e ekonomive familjare shënoi rënie për 0.4 pikë përqindje, në 21.1 përqind.
Në këtë raport për sektorin mikrofianciar, BQK paralajmëron shtrenjtim të kredive edhe në muajt në vazhdim.
“Zhvillimet e fundit në sektorin financiar, përkatësisht rritja e normave bazë të interesit nga bankat qendrore, pritet të reflektohet në koston e financimit të sektorit dhe potencialisht, të përkthehet në rritje tutje të normës së interesit në kredi të ofruar nga ky sektor”, thuhet aty.
Ndryshe, norma mesatare e interesit në kreditë e lëshuara nga ky sektor në qershor 2023 ishte 19.0 përqind, për 0.1 pikë përqindje më e lartë se sa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Për dallim nga sektori bankar, që ka shkalla pothuajse trefish më të ulëta për shkak të kostos së ulët të financimit të aktiviteteve (përmes depozitave), IMF/IFJB-të kryesisht financohen nga kreditë e marra nga sektori i jashtëm, që kanë norma më të larta të interesit.