Thursday, June 19, 2025

IKMM i jep të drejtë vendimit të Komunës së Skenderajt për rrënimin e shkollës “Drenica” në Polac

Shkolla e njohur dikur si “Drenica” në fshatin Polac të Skenderajt, e cila ishte ndërtuar 61 vite më parë, ishte rrënuar vitin e kaluar nga Komuna e Skenderajt. Pas rrënimit, Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore kishte ndaluar punimet, duke hapur diskutime lidhur me vlerat historike të objektit, shkruan rajoni.org

Megjithatë, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka dalë me vendim duke e mbështetur veprimin e komunës dhe vendimin e kryetarit Fadil Nura. Në arsyetimin e këtij vendimi, theksohet se pas shqyrtimit të dokumentacionit për objektin e propozuar “Shkolla Fillore Drenica në Polac”, është konstatuar se ndërtesa nuk plotëson kriteret për mbrojtje të përkohshme.

Sipas Institutit, ndërtesa origjinale e ndërtuar në vitin 1963/64 është rrënuar tërësisht dhe nuk ka mbetje fizike apo arkitektonike që dëshmojnë rëndësinë e saj historike ose shoqërore. Ndërsa, aneksi modern i ndërtuar më vonë nuk ka ndonjë vlerë arkitektonike, historike apo shoqërore që do të justifikonte mbrojtjen e saj si monument kulture.

“Dokumentacioni i paraqitur nuk ofron prova të mjaftueshme për të mbështetur pretendimet për vlera të veçanta të ndërtesës ekzistuese”, thuhet në vendimin e Institutit.

Ky vendim i jep fund debatit disa mujor lidhur me fatin e këtij objekti arsimor që për vite me radhë kishte qenë pjesë e kujtesës kolektive të banorëve të Polacit.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer