Derisa e ka vendosur veten në pozitë të mirë për “Scudetton” e radhës dhe për një kampanjë të mirë në Ligën e Kampionëve, edhe merkatoja e verës është në mendjen e Interit.
Interi dëshiron që të bëj gjithçka për ta mbrojtur titullin e kampionit, me një konkurrencë të ashpër me Napolin, por aty në garë është edhe Atalanta.
Kampioni në fuqi i Italisë ka nisur punët për merkaton e verës, me “Neroazzurët” që duan të peshkojnë te Manchester Unitedi.
Në llupën e Interit është mesfushori anglez, Mason Mount, i cili po e ka të vështirë adaptimin te “Djajtë e Kuq”, pas transferimit nga Chelsea në vitin 2023.
Anglezi ka pasur goxha probleme me lëndime, të cilat nuk e lanë të shpërfaqë aftësitë e tij në “Old Trafford”.
Sipas informacioneve nga Italia, Simone Inzaghi e dëshiron në skuadër Mountin dhe i ka urdhëruar përgjegjësit e transferimeve për ta bindur atë.
Formula që Interi e ka menduar për kompletimin e transferimit të tij është huazim me mundësi të blerjes për sezonin 2025/2026.
Mason Mount kaloi pjesën më të mirë të karrierës te Chelsea, me kulmin e arritur në sezonin 2020/21, duke e fituar Ligën e Kampionëve.