E mërkurë, 8 Janar, 2025

Intervistë, Hysni Mehani: Presim rritje substanciale të votave në Skenderaj

Skenderaj, 7 janar 2024 – Hysni Mehani, Shefi i Shtabit Zgjedhor të Vetëvendosjes në Skenderaj, ka treguar prioritetet dhe strategjinë e partisë së tij për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2024. Në një intervistë për rajoni.org, ai ka ndarë mendimet e tij për rëndësinë e zgjedhjeve, për ndryshimet që kanë ndodhur, dhe për masat që do të ndërmerren në të ardhmen për zhvillimin e Skenderajt dhe të Kosovës.

Intervista e plotë:

Si e vlerësoni rëndësinë e zgjedhjeve të 9 shkurtit 2024 për Vetëvendosjen dhe për Kosovën në përgjithësi?

Hysni Mehani: Zgjedhjet e 9 shkurtit janë jetike për mbrojtjen e sukseseve të arritura, veçmas atyre në veri të Mitrovicës. Kosova ka bërë një progres të paimagjinueshëm në shtrirjen e sovranitetit dhe është e domosdoshme që këto të arritura të mbrohen. Drenica njihet në histori si vend me shumë sakrifica ndër shekuj. Këto 4 vite që shkuan në qeverisje janë vazhdimësi e endrrave të shumë drenicasëve dhe realizimit të amanetit të dëshmorëve. Secili drenicas e qytetar i Kosovës është gëzuar teksa ka parë Radoçiqin dhe bandat e tij teksa ikin maleve. Disa nga të vrarë e të tjerë të plagosur e arrestuar për dallim nga qeveritë e kaluara që bënin koalicion dhe e prisnin në zyre Radoiçiqin. Ndërsa këtu në Skënderaj, shefi aktual i prokurimit ka qenë shef i prokurimit edhe në Leposaviq në vitin 2015-2017 nën udhëheqjen e Jabllanoviqit.

Cilat janë prioritetet kryesore që do të përqendroheni gjatë fushatës zgjedhore në Skenderaj?

Hysni Mehani: Këto janë zgjidhje nacionale dhe fushata fokusohet në nivel vendi. Në vjeshtë do të jenë zgjedhjet lokale dhe atëherë do të kemi në mënyrë specifike programin për Skënderajn. Por si prioritete, për të cilat tashmë ka filluar puna është Kompleksi Memorial “Adem Jashari” dhe Penda e Kuqicës. Ka edhe projekte tjera që janë bërë nga niveli qendror dhe janë përvetësuar meritat nga niveli lokal si me rastin e memorialit për daljen në skenë të UÇK-së në Llaushë. Banimi social po ashtu do të jetë se shpejti një nga projektet që do të realizohen. Qytetarët e Skënderajt e kanë parë modelin e PDK-së, e cila deri më sot nuk arriti t’ua jepte banesat familjeve të dëshmorëve edhe pse kanë kaluar 25 vite, ndërsa banesat private kanë lulëzuar. Megjithatë për prioritetet e fushatës duhet të presim fillimin e fushatës. Ku nuk do mend që do të ketë prioritete domethënëse.

A ka pasur ndryshime të dukshme në mbështetje nga qytetarët e Skenderajt krahasuar me zgjedhjet e kaluara? Si e shpjegoni këtë?

Hysni Mehani: në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 jemi trefishuar. Na duhet të perseritet ajo rritje dhe po punojmë në atë drejtim. Masat që ka ndërmarrë qeveria për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve janë mjaft domethënëse. Në të kaluarën kemi parë pushtetarë që iu kanë bërë surpriza fëmijëve të tyre për Vitin e Ri, tash kemi një qeveri dhe pushtetarë që mendojnë për krejt fëmijët e Kosovës dhe jo vetem për fëmijët e tyre.

Si planifikoni të adresoni çështjet sociale dhe infrastrukturore në Skenderaj, të cilat janë shpesh shqetësime për qytetarët?

Hysni Mehani: E thashë edhe më lart për këto çështje që kanë të bëjnë në mënyrë specifike me Skënderajn do të flasim në zgjedhje lokale. Pajtohemi që gjendja është e keqe. Kjo qeverisje lokale i ka marrë të gjitha pronat. Së fundmi edhe tregun e qytetit, duke mos lënë asnjë pëllëmbë toke pronë publike. Për këto veprime skandaloze do të ndeshkohen edhe në këto zgjedhje. Por për zgjedhjen e kësaj problematike si Lëvizje do të japim propozime konkrete në garën lokale.

Si e vlerësoni garën zgjedhore në Skenderaj, veçanërisht kundërkundërshtarëve të tjerë politikë?

Hysni Mehani: PDK është në panikë dhe ka luftë brenda sojit. Kanë nxjerrë shumë kandidatë, duke synuar votën familjare. I kanë futur në listë edhe disa milionerë me synim për të blerë votë, por besimi i qytetarëve e zemra e popullit nuk blihet. Të tjerët janë irelevant për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Si po e mobilizoni bazën e mbështetësve të Vetëvendosjes për të dalë në votime?

Hysni Mehani: Ditë më parë në Skënderaj ishte Kryeministri i vendit Albin Kurti për rikonfirmuar mbështetjen dhe interesin për Skënderajn dhe Drenicën. Edhe në ditët në vazhdim do të vazhdojmë me takime me figura të rëndësishme të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Çfarë mesazhi keni për qytetarët e Skenderajt që mund të jenë të pasigurt në lidhje me mundësinë e ndryshimeve?

Hysni Mehani: Ndryshimet kanë ndodhur dhe tash po punojmë për vazhdimësinë e tyre. Këto ndryshime janë: më shumë para për ushtri; Bajraktar e Javelin. Më shumë për sovranitetin e vendit, pra më shumë për veriun. Shtesa për fëmijët e gjithashtu pagesa për nënat lehona. Këto e shumë tjera si këto qytetarët i kanë parë tashmë.

Si e shihni të ardhmen e Skenderajt dhe të Kosovës në një mandat të dytë të Vetëvendosjes në pushtet?

Hysni Mehani: Me shumë shpresë. Qeverisjen ua kemi kthyer qytetarëve, deri tash na e kishin vjedhur disa pushtetarë që u sherbenin oligarkëve, e oligarkët ua lagnin fytin pushtetarëve.

Nëse mund të ndryshoni një gjë për të përmirësuar procesin zgjedhor në Kosovë, çfarë do të ishte ajo?

Hysni Mehani: Procesi zgjedhor në Kosovë ka treguar që demokracia funksionon. Dëshmi për këtë fitorja plebishitare e Lëvizjes VETËVENDOSJE! më 14 shkurt 2021.Por, kjo në qytetet e vogëla si Skënderaj nuk vlen sepse kontrolli dhe shantazhi është i madh. Por edhe kjo dita ditës po rregullohet. Po kalon koha kur pushtetarët shantazhonin njerëzit me një vend pune. Ekonomia jonë po rritet, e me rritjen e pavarsisë ekonomike arrihet edhe procesi demokratik. Po vjen dita që njerëzit të votojnë të lirë dhe jo për ndonjë interes meskin, apo për kthimin e një borxhi në këmbim.

Për fund; sa i fiton Lëvizja VETËVENDOSJE! në Skënderaj?

Hysni Mehani: Në zgjedhjet e 14 shkurtit siç e thashë jemi trefishuar. Kësaj rradhe marrë parasysh punët e mira të Qeverisë duhet edhe më shumë.

Të fundit

Shpallje e pavlefshme

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer