Kryetari i degës së Vetëvendosjes në Skenderaj, Hysni Mehani, në një intervistë pë rajoni.org ka shpalosur qëndrimet e tij dhe partisë së tij për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në fundvit.
Mehani ka hedhur akuza ndaj qeverisjes aktuale në Skenderaj, ndërsa ka folur edhe për angazhimin dhe planet e Vetëvendosjes për Skenderajin.
Intervista e plotë:
Si do ta përshkruanit angazhimin tuaj si asamblist në këto katër vite?
Hysni Mehani: Me shumë vështirësi. Edhe pse ligji e obligon transmetimin e seancave që zhvillohen në Kuvendin Komunal, ne obligohemi për t’i përdorur telefonat tanë privat për të provuar të arrijmë te qytetari dhe ta mbajmë qytetarin e informuar me zhvillimet në komunë. Diktaturë absolute që ndalon edhe zërin e të zgjedhurve të popullit. Diktaturë të cilën po mundohemi ta thyejmë duke përdorur telefonat tanë privat, por edhe ata po i pengojnë, ngase disa herë me radhë na është thënë se përse po i përdorim! Gjithashtu neve si VETËVENDOSJE! na është mohuar përfaqësimi në KPF, atë që luan rolin e kryesisë së kuvendit. Vendi ynë mbetet vakant në KPF, pasi që kryesuesja e kuvendit na tradhtoi pasi që kishim rënë dakord për konstituimin e organeve të kuvendit komunal, kur propozoi votimin ndaras për anëtarët e KPF-së. Diçka e paprecedent për një komunë me udhëheqësi normale.
Cilat janë tri çështjet më të rëndësishme që i keni ngritur në Kuvendin Komunal?
Hysni Mehani: Lufta jonë kryesore ka qenë mbrojtja e pronës publike. Adresimi i çështjeve në organet kompetente, për çka tash edhe po vijnë rezultatet. Kur kemi propozuar, nuk kemi gjetur mbështetje. Një qeverisje e cila të ndalon përfaqësimin aty ku të takon me ligj, dhe nuk i transmeton seancat siç obligohet me ligj, është iluzion me besu që shtyen çështje që i propozon opozita.
Sa është dëgjuar zëri i opozitës në Skenderaj, konkretisht i Vetëvendosjes?
Hysni Mehani: Ajo u mbetet qytetarëve ta vlerësojnë. Raporti i organizatës që mbikëqyr punën e Kuvendit Komunal na nxjerr ndër këshilltarët më aktivë. Besoj që edhe ju pajtoheni që kemi qenë opozita e vetme pa kalkulime në raport me pushtetin aktual në Skënderaj.
Sa është rritur përkrahja për Vetëvendosjen në Skenderaj që nga zgjedhjet e fundit?
Hysni Mehani: Nëse po i referoheni zgjedhjeve të fundit lokale, ne e kemi mbështetur kandidaturën e Bekim Jasharit për kryetar komune. Të mos paturit kandidat për kryetar komune na ka penalizuar në garën për kuvend komunal, ku kishim një listë shumë të mirë të kandidatëve, në mesin e tyre profesorë shumë të nderuar. Edhe pse nuk kishim kandidat për kryetar komune, në ruajtëm nivelin e njëjtë të përfaqësimit në kuvend komunal.
Sa jeni të kënaqur me punën e kolegëve asamblistë?
Hysni Mehani: Nuk më takon mua t’i vlerësoj kolegët e partive tjera. Por ka kolegë që për 4 vite nuk kanë folur asnjëherë, përderisa marrin një pagë afër 600€, aq sa merr një mësimdhënës që shkon çdo ditë në punë. Nuk e besoj që për 4 vite, një këshilltar komunal nuk ka asgjë për të thënë. Nëse nuk ka asgjë për të thënë dhe për t’i shërbyer publikes e politikës, më mirë ta gjente veten atje ku ka për të dhënë e thënë.
Si po përgatitet dega e VV në Skenderaj për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në fund të vitit?
Hysni Mehani: Tashmë kemi filluar me kandidatët për asamblenë komunale. I kemi kandidatët e parë të konfirmuar që do të garojnë për zgjedhjet lokale, e që do të jenë vlerë e shtuar për listën tonë. Gjithashtu ditëve në vijim do të presim propozimet nga pikat tona. Po bëjmë një punë të mirë e cila padyshim që do të na përkthehet me rezultate të mira.
A mund të presim që Vetëvendosje të garojë me një kandidat për kryetar komune në Skenderaj, dhe nëse po, kur do të bëhet publik emri?
Hysni Mehani: Jemi në diskutime për kandidatin për kryetar. Në këtë fazë nuk mund të konfirmoj asgjë. Lëvizja VETËVENDOSJE!, tashmë ka filluar me propozimet për kryetar komuna në disa komuna. Dhe, sigurisht, në momentin e duhur do të kuptohet edhe për Skënderajn.
Cilat janë pritshmëritë tuaja për rezultatin në këto zgjedhje?
Hysni Mehani: Besoj që është momenti i fundit që edhe në Skenderaj të ketë pluralizëm politik. Me angazhimin tonë si këshilltarë komunalë kemi treguar edhe konsistencë e edhe koherencë. Jam i bindur që do të kemi rezultate shumë të mira, këtë në thotë komunikimi me qytetarë. Realisht nuk ka opozitë tjetër pos Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Skenderaj. Të mos keqkuptohemi, nuk po flas për numra, por për angazhim në kuvend edhe jashtë tij.
Si planifikoni t’i qaseni elektoratit në një komunë që tradicionalisht ka qenë bastion i një partie tjetër?
Hysni Mehani: E vërtetë që Skënderaj konsiderohet bastion i PDK-së dhe askujt nuk i ka bërë më shumë dëm kjo sesa vetë qytetit të Skenderajt. Pushteti aktual i PDK-së këtu në Skenderaj e ka ndjerë veten komod dhe asnjëherë nuk ka punuar për interesa të qytetarëve, por për interesa të vet pushtetarëve. Dëshmi për këtë është abuzimi me prona publike që ka arritur kulmin me marrjen e pronës së tregut të qytetit dhe shkatërrimin e parkut “Idriz Rreci” – qytetarët e Skënderajt do ta dënojnë këtë abuzim.
Cilat janë tri prioritetet kryesore që do të duhej të adresohen urgjentisht në Skenderaj?
Hysni Mehani: Skënderaj ka shumë prioritete dhe nuk mund të reduktohen në tri. Këtu gjithçka është bërë prioritet, sepse asgjë nuk është punuar siç duhet. Mbrojtja e asaj pak prone publike që ka mbetur duhet të jetë prioritet, sepse do të na mallkojnë brezat që do të vijnë pas nesh, të cilëve edhe një mandat tandemi Lushtaku – Nura nuk do t’ua lë asnjë pronë që do të përdorej për interesin e përgjithshëm. Shihni çfarë bën ky tandem, teksa pronat komunale ua japin dostave për banesa, oborret e shkollave i marrin për objekte të cilat do të mund të vendoseshin në prona që po jepen për banesa. Prioritet tjetër duhet të jetë ndalja e këtij ndërtimi të egër e pa kritere – objekte që ia marrin frymën njëra-tjetrës. Xhungël urbanistike, nëse mund të themi. Tjetër prioritet duhet të jetë krijimi i kushteve për të bërë biznes dhe hapja e tregut edhe për investime tjera, jo vetëm të pushtetarëve aktualë dhe jo vetëm objekte banesore. Trafiku publik, uji i pijes, përmirësimi i kushteve në shkolla etj. Imagjinoni, Skënderaj ka një u.d. kryetar i cili thotë në kuvend komunal se uji i pijes mund të përdoret për ujitje të tokave.
A mendoni se qytetarët janë të dëshpëruar me mënyrën si po qeveriset komuna aktualisht?
Hysni Mehani: Po, jam i bindur për këtë. Kjo qeverisje nuk ka bërë asgjë përveç viktimizimit. 4 vjet të shkuara dëm, me u.d. kryetarin që ka blerë penthouse për vete dhe nënkryetarin që ia dha 400 mijë euro sigurimin djalit të vëllait. Sigurisht, edhe plot afera tjera korruptive për të cilat tashmë ka edhe dënime nga gjykatat për drejtorët komunalë.
Çfarë modeli të qeverisjes do të ofronte Vetëvendosje nëse do të fitonte pushtetin lokal në Skenderaj?
Hysni Mehani: Qeverisja nuk është çështje modeli, por çështje ideologjie e parimi. Ideologji për programin qeverisës, parim për etikën qeverisëse. Por, se si do të jetë oferta e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për zgjedhjet lokale do të propozojmë platformën, platformë të cilën i takon të propozojë kandidatit për kryetar komune.