Saturday, May 17, 2025

Investim mbi 80 milionë euro për energji të gjelbër në Prishtinë

Kompania Termokos ka organizuar të premten një prezantim publik informues për projektin “Solar 4Kosovo II”, projekt ky që përfaqëson një hap drejt dekarbonizimit dhe zgjerimit të sistemit të ngrohjes qendrore në Prishtinë përmes energjisë së rinovueshme.

Në këtë prezantim, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, theksoi rëndësinë shumëdimensionale të projektit duke shtuar se ky do të kontribuojë në tranzicionin energjetik të Kosovës.

“Projekti konsiston në ndërtimin e një centrali diellor me kapacitet prej 50 MGV për të siguruar kapacitet shtesë të energjisë ngrohëse dhe zgjerimin e rrjetit të ngrohjes qendrore në Prishtinë. Fushëveprimi i projektit zbatohet në faza. Në fazën e parë e kemi një zgjerim shtesë prej 50 MGV. Një zgjerim i mëtejshëm i rrjetit do të jetë edhe prej 20 MGV shtesë, një kapacitet total prej 70 MGV që do të merret në konsideratë edhe në një fazë të mëvonshme, në varësi të kujdesit të mëtejshëm duke përfshirë konfirmimin e përputhshmërisë edhe me Marrëveshjen e Parisit. Projekti do të ndihmojë kryesisht në promovimin e tranzicionit të gjelbër duke kontribuar në zbutjen e ndryshimeve klimatike. Termocentrali i ri dhe rrjeti i zgjeruar i ngrohjes qendrore do të zvogëlojë emetimet e dioksidit të karbonit, do të përmirësojë cilësinë e ajrit në gjithë kryeqytetin dhe do të integrojë furnizimin me energji të rinovueshme në sistemin e ngrohjes qendrore të Prishtinës”, tha ai.

Sipas kryetarit Rama, projekti financohet nga një sërë burimesh, me një kosto të përgjithshme prej rreth 80.5 milionë euro.

“ Do t’u shërbejë lagjeve që nuk janë të lidhura me sistemin e ngrohjes qendrore duke zëvendësuar sistemet individuale të ngrohjes të bazuar në ngrohje elektrike direkte. Është një kosto e cila është përafërsisht 80.5 milionë euro. Shuma e grantit të KFW për këtë projekt është 31.6 milionë euro dhe shuma e grantit të WBF është 22.5 milionë euro, e ndarë në një grant investimi prej 16.5 milionë eurosh dhe një grant asistencë teknike prej 6 milionë euro. Përfshirë këtu edhe 100 mijë euro për aktivitet të komunikimit. Ndërsa kontributi vetanak do të jetë 4.4 milionë euro dhe financimi shtesë në shumën 22 milionë euro parashihet të sigurohet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim”, tha ai.

Drejtori ekzekutiv i Termokosit, Fisnik Osmani, bëri të ditur se projekti do të zgjerojë rrjetin e ngrohjes në pjesë të reja të kryeqytetit.

“Projekti do të mundësojë shtrirje të rrjetit në disa pjesë të Prishtinës, e që është pika e fundit që e kemi pasur me kryetarin Rama në pjesë të programit 4-vjeçar. Për pjesën e zgjerimit të rrjetit në tërë Prishtinën, është çështje muajsh që do të dalim me analizën për komplet Prishtinën, duke e ndarë të njëjtën në 11 zona të reja”, tha ai.

Ndërsa menaxheri i projektit, Felix Eckert, sqaroi komponentët teknikë dhe përfitimet energjetike të projektit.

“Njëra është njësia e prodhimit, centrali diellor. Dhe tjetra është në anën e konsumit, zgjerimi i rrjetit, i cili shfrytëzon nxehtësinë shtesë që prodhohet.Prodhimi i energjisë termike nga dielli, prodhimi vjetor i nxehtësisë nga dielli është rreth 44 GWh në vit. Kjo kapacitet shtesë për ngrohje mundëson lidhjen e rreth 200 ndërtesave të mëdha. Kjo i korrespondon rreth 8,500 amvisërive dhe 38,000 konsumatorëve. Ka një kolektor diellor të ndërtuar me afërsisht 63,000 metra katrorë kolektorë. gjatë verës në një depo të përkohshme nën tokë me një kapacitet prej afërsisht 380,000 metra kub”, tha ai./EkonomiaOnline

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer