Inspektorati Policor i Kosovës ka suspenduar nga puna zyrtarin policor i cili shkaktoi aksident trafiku në gjendje të dehur dje në Pejë.
IPK njofton se ai është ndaluar për 48 orë..
Në momentin e aksidentit, polici ishte jashtë detyrës zyrtare, teksa konfirmuan se i njëjti ishte i dehur.
“Hetuesit e IPK-së me të pranuar informacionin kanë filluar të ndërmarrin veprimet fillestare hetimore në koordinim me prokurorin kujdestar. Sipas hetimeve fillestare, aksidenti është raportuar të ketë ndodhur dje në fshatin Novosellë të Pejës (në afërsi të terminalit doganor). Pas veprimeve hetimore dhe pas alkool testit me dyshimin se ka kryer veprën penale “Ngasja në gjendje të paaftë apo të dehur” nga IPK është arrestuar i dyshuari (zyrtari policor) ndaj të cilit prokurori ka lëshuar aktvendim për ndalim për 48 orë. Si pjesë e procedurës administrative hetimore zyrtari policor është suspenduar nga puna”, thuhet në njoftim.
Tutje, në njoftim thuhet se do të ndërmerren masa tjera në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe në koordinim me prokurorinë kompetente.