Ish-kryeministri i Kosovës dhe gjithashtu ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar në lidhje me Kuvendin e LDK-së që pritet të mbahet të shtunën me 31 janar.
Ai ka thënë se nuk do të përfshihet në atë se kush do të jetë apo të mos jetë në krye të LDK-së, sepse kjo do të zgjidhet vetëm në organet vendimmarrëse të partisë, shkruan lajmi.net.
“Në LDK problemet më së paku mund të zgjidhen me tifozllëk, andaj format e tilla të propagandës e deformojnë demokracinë dhe mund ta bëjnë Kuvendin e thirrur arenë të përçarjeve, që nuk i nevojitet LDK-së, e cila akoma nuk është shëruar nga një Kuvend i tillë i para njëzet viteve’, ka shkruar Mustafa.
Ai ka thënë se ata që e duan LDK-në, gjithashtu duhet ta kuptojnë se LDK qëndron para çdo emri të përveçëm, se përveç me Ibrahim Rugovën, LDK nuk identifikohet me asnjë emër të veçantë.
“Kuvendi si organi më i lartë i Lidhjes Demokratike të Kosovës do duhej të sigurojë se LDK nuk është parti as e vjetër as e re por parti që zhvillohet mbi bazat e përcaktuara 36 vite më parë me aktin themelues të saj si parti konzervatore e qendrës së djathtë me orientim të palëkundur euroatlantik. LDK ka nevojë të rikonfirmojë se beteja e saj politike nuk është ankand se kush jap më shumë por ofertë se si ndërtohet një shtet perspektiv, i fortë dhe i qëndrueshëm. Se LDK nuk mund të përdoret si platformë mbi të cilën do të ndërtohet diçka tjetër duke e shfrytëzuar emrin e saj”, ka shtuar Mustafa.
Ai gjithashtu ka shtuar se reformat e LDK-së, i bëjnë njerëzit të cilët i kanë qëndruar besnik LDK-së, të hapur për ardhjet dhe ardhje të reja dhe njerëz të rinj.
“LDK-së nuk i nevojiten ndarjet në ne dhe ata; të vjetrit dhe të rinjtë; të mitë dhe të atyre para meje. Ajo ka nevojë të mendojë për forma dhe mekanizma që sjellin sa më shumë anëtarë, simpatizantë dhe votues. Ndërkaq, përgjegjësia në LDK të trajtohet si standard normal i etikës demokratike që nënkupton se rezultati ka pasojë. Kuvendi mund ta gjejë zgjidhjen më të mirë duke vlerësuar se çfarë është e dobishme për rritjen dhe progresin e LDK-së, për forcimin e unitetit të brendshëm të saj, për ofrimin e veprimtarëve dhe veprimtareve, sepse asnjë njeri në LDK nuk është i tepërt!”, ka shtuar Mustafa.
LDK do të mbaj Kuvendin të shtunën, më 31 janar. Aty do të shqyrtohet dorëheqja e kryetarit të LDK-s, Lumir Abdixhikut. Në garë për këtë pozitë është edhe Avdullah Hoti.
Postimi i plotë: