Ish-drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Ilir Murtezaj, ka njoftuar të dielën, më 07.12.2025, se ka vendosur t’i bashkohet Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Në një postim në rrjetin social Facebook, Murtezaj shkruan se pas një karriere të gjatë në institucione publike dhe mësimdhënie si profesor universitar, ka marrë një “vendim shumë të rëndësishëm për rrugëtimin profesional dhe publik”.
Ai shton se gjatë ditëve të fundit ka pasur “oferta të ndryshme për angazhimin profesional, si dhe oferta për angazhim politik”, por duke u bazuar në ofertën e PDK-së, ai thot se u ndje “shumë i nderuar për besimin dhe mundësinë e ofruar që t’i shërbej vendit dhe shoqërisë në një dimension tjetër”.
Murtezaj thekson se përvoja e tij në fushën e ekonomisë dhe financave, si dhe rezultatet në udhëheqjen e ATK-së, të cilat sipas tij janë “të vlerësuara nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare”, së bashku me përvojën akademike, përbëjnë “një garanci për qasje të drejtë, profesionale dhe të përgjegjshme në këtë mision të ri”.
Ai gjithashtu shpjegon motivimin e tij për këtë vendim: “Duke u bazuar në programin me objektiva të qarta, në qasjen dhe vizionin e lidershipit të PDK-së për t’u ofruar qytetarëve zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, qeverisje të përgjegjshme dhe llogaridhënëse, vendimmarrja ime për t’i thënë PO kësaj ftese ishte shumë më e lehtë” – shkruan ai në Facebook.
Ilir Murtezaj është kandidati me numër 44 në listën e kandidatëve të PDK-së për deputetë.
PDK ka publikuar listën me emrat e 110 kandidatëve për deputetë.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 28.12.2025.