Albert Behrami, ish-këshilltar politik i Ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, është emëruar Drejtor i Drejtoratit Koordinues Rajonal – Mitrovicë në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë.
Sipas vendimit, për pranimin e Behramit, komisioni vlerësues e ka poentuar më së shumti atë, me plotë 91.2 pikë, prej të cilave 61.6 i ka marrë në testin me shkrim e 29.6 në intervistë.
Ky konkurs ishte hapur nga Agjencia Pyjore e Kosovës, Sektori i Burimeve Njerëzore që është në kuadër të Ministrisë që udhëhiqet nga Peci.
Para kësaj, Behrami më 15 prill të vitit 2021, ishte emëruar si këshilltar politik i Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Nga kabineti i ministrit Peci kanë mohuar të ketë ndikuar ministri në përzgjedhjen e Behramit drejtor në këtë agjenci, përkundër se e njëjta është nën kompetencat e ministrisë që udhëhiqet nga Peci.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës ia mundëson secilit ta gëzojë të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet. Askush nuk duhet të diskriminohet as pozitivisht e as negativisht në këtë aspekt. E kushdo që është zgjedhur, i urojmë suksese dhe punë të mbarë!”, ka në një përgjigje për Albanian Post, shefja e Kabinetit të Ministrit Peci, Flutur Mustafa.
Ndërsa, Behrami, anëtar i kryesisë së Listës Guxo, nuk i është përgjigjur interesimit të redaksisë lidhur me këtë çështje.
Pushteti aktual ka rehabilituar nëpër pozita publike – shumë herë në formë të kundërligjshme – një numër të madh të militantëve partiakë, apo familjarë të tyre.
Albanian Post kishte raportuar më 16 korrik se si Donika Gërvalla, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Faton Peci, Ministër i Bujqësisë, të dy këta bashkëkryetarë të Partisë Guxo, kishin punësuar asistentët e tyre nëpër dikasteret që drejtojnë.
Haki Huruglica ka qenë asistent administrativ i Gërvallës, ndërsa i njëjti më 15 korrik, ishte zgjedhur Zyrtar i Lartë për Koordinim të Politikave, në Departamentin e Integrimit Evropian dhe Koordinim të Politikave.
Ndërsa, Verona Menxhiqi më 6 prill 2021, ishte emëruar asistente ekzekutive e Ministrit Peci nga vetë Peci.
Ndërsa, më 16 korrik 2024, tri vjet më vonë, ajo është emëruar Zyrtare e Lartë Ligjore Departamentin Ligjor të Ministrisë që drejtohet nga Peci.
Por, rastet kur në ministritë që drejtohen nga eksponentët e Guxo-s shpërfaqet nepotizmi nuk përfundojnë me kaq.
Më 15 janar, Albanian Post kishte raportuar se si Gërvalla e kishte punësuar Donat Krasniqin si këshilltar të Jashtëm.
Donati, miku i vëllait të ministres, apo vëllai i gruas së vëllait, ishte punësuar në kabinetin e ministres si këshilltar politik i jashtëm.
Ai kurrë nuk kishte shkuar në punë. Donati me profesion është muzikant dhe s’ka lidhje as me politika as me të jashtme.
Siç i kishin treguar Albanian Post-it burime nga brenda MPJ-së, Donati nuk ishte punësuar që të jap këshilla politike, meqë as nuk merret me politik, por për arsye krejt tjera.
Si muzikant, Donati kishte nevojë të udhëtojë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jeton edhe vëllai i tij. Me statusin e punonjësit të MPJ-së dhe pjesë e kabinetit të ministres, ai mund të pajisej me vizë amerikane lehtësisht me rekomandimin e ministrisë.
Kjo ishte edhe arsyeja përse Donati fillimisht u punësua.
Albanian Post kishte pyetur MPJ-në për këtë shkelje, por ishte refuzuar të kthehej një përgjigje prapa.