E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

Izraeli shpall gjendje lufte: Raportohet se luftëtarët e Hamasit hynë në jug të Izraelit, rritet numri i të vrarëve

Izraeli dhe Hamasi duket se janë nisur drejt një lufte të re mes vete pas një sulmi të befasishëm ajror e tokësor të grupit Hamas nga Rripi i Gazës drejt Izraelit. Raportohet se luftëtarë të Hamasit janë infiltruar brenda qytezave e fshatrave izraelite në periferi.

Në raportimet fillestare dhe në fotografi e video duket se shihen persona të armatosur që kishin hapur zjarr në qytezën kufitare, Sderot, duke vrarë disa civilë e ushtarë izraelitë. Një grua e moshuar u konfirmua e vdekur nga mjekët në rrethana të panjohura, ndërsa katër të tjerë të vrarë nga raketat, raporton gazeta “The Guardian”.

Hamasi pretendoi se kishte hedhur 5 mijë raketa nga Gaza. Hyrja e militantëve në territorin izraelit do të ishte zhvillim i pashembullt në 16 vitet e fundit, që nga koha kur ky grup e kishte marrë nën kontroll Rripin e Gazës.

Në një deklaratë, Mohammad Deif, komandant ushtarak i Hamasit në Gaza, e njoftoi fillimin e operacionit të ri për ta liruar kompleksin e ndjeshëm të xhamisë “Al-Aksa”, ku ka pasur shtim të vizitorëve hebrenj në javët e fundit për shkak të festave fetare të tyre. Ai shtoi se “kjo është vetëm faza e parë” e përpjekjeve të reja të Hamasit kundër Izraelit.

“Ne e paralajmëruam armikun që të mos e vazhdonte agresionin e tij kundër xhamisë “Al-Aksa”… Epoka e agresionit të armikut pa kundërpërgjigje ka mbaruar. U bëj thirrje palestinezëve kudo në Bregun Perëndimor dhe brenda Vijës së Gjelbër që të nisin një sulm pa kufizim. Shkoni në të gjitha rrugët. U bëj thirrje myslimanëve kudo që të nisin një sulm”- tha komandanti i Hamasit.

Si kundërpërgjigje ndaj sulmeve, që duket se e kanë zënë në befasi ushtrinë izraelite, Izraeli e ka shpallur gjendje lufte.

“Një numër terroristësh janë infiltruar brenda territorit izraelit nga Rripi i Gazës”-thuhet në një deklaratë të ushtrisë izraelite, ku shtohet se banorëve në zonën përreth Rripit të Gazës u është kërkuar që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.

“Forcat Mbrojtëse të Izraelit do t’i mbrojnë civilët izraelitë dhe organizata terroriste e Hamasit do të paguajë çmim të lartë për veprimet e saj”- thuhet më tej në deklaratë.

Zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu tha se ai do të takohet me zyrtarët më të lartë të sigurisë në orët e ardhshme, ndërsa ushtarët rezervistë janë mobilizuar.

Zhvillimet dramatike të së shtunës janë eskalimi më serioz në rajonin e paqëndrueshëm që nga beteja e përgjakshme 10-ditore mes Izraelit dhe Hamasit në vitin 2021.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer