Para nisjes së vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, deputeti i PDK-së, Jakup Nura, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje ka pasur kohë të reflektojë dhe të kuptojë dëmet që i ka shkaktuar.
“Shpresoj dhe besoj se do të propozojnë një figurë më unifikuese. Ashtu siç e kemi thënë edhe më herët, Partia Demokratike e Kosovës do ta mbështesë çdo kandidat që nuk ka qenë i përfshirë në krim ose korrupsion”, tha Nura para mediave.
Seanca e sotme zhvillohet pas publikimit të plotë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, me ç’rast ka filluar edhe rrjedhja e afatit kushtetues 30-ditor për konstituimin e Kuvendit.
Aktgjykimi ka sjellë edhe disa rregulla të reja, siç është ajo që një kandidat për kryetar të Kuvendit nuk mund të votohet më shumë se tre herë.