Pas më shumë se një muaj e gjysmë nga vendimi i Ministrisë së Arsimit që tekstet shkollore të blihen e më pastaj të kompensohen, ka bërë që shumë nxënës të mbesin pa tekste shkollore. Kështu ka thënë kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Rrahman Jasharaj.
Kreu i SBAShK-ut ka thënë për Ekonomia Online se vendimi i MASHTI-t për tekste është i gabuar, teksa dyshon se kjo po bëhet me tendencë nga Qeveria Kurti.
Duke folur për këtë vendim, Jasharaj ka deklaruar se problemi më i madh me furnizim është nga klasa gjashtë deri tek e nënta.
“Nga raportet që i kemi ne, kjo çështje nuk është përmbyllur as deri në momentin që po flas. Ka furnizim me tekste mirëpo jo në tersi të nxënësve dhe fatkeqësisht kemi nxënës ende nëpër klasa që nuk kanë fare tekste dhe një pjesë tjetër e nxënësve që i kanë pjesërisht tekstet. Problemi më i madh është krijuar veçmas me klasën 6-9 ngase tekstet e përdoruara vitin e kaluar kanë qenë të dëmtuara shumë, e një pjesë nuk janë kthyer fare nga nxënësit paraprak”, ka thënë Jasharaj.
Problem me furnizim sipas kryesindikalistit po ndodh te familjet me asistencë sociale. Me këtë rast, Jasharaj ka përmendur edhe një rast kur libraritë kanë kushtëzuar qytetarët që “nëse e dëshiron fletoren e punës së re duhet ta blesh edhe librin bazik”.
“Fletoret e punës kanë qenë tepër të dëmtuara dhe nuk janë të përdorshme dhe kjo ka bërë që mësimdhënësit të ndihën keq për nxënësit të cilët fatkeqësisht na vijnë sidomos nga familjet me gjendje të rënduar ekonomike dhe prindërit e tyre nuk kanë pasur mundësi t’u blejnë fletoret e reja. Sipas informatave tona, uroj që të mos jetë e saktë, kur libraritë kanë paraqit kushte që ‘nëse e dëshiron fletoren e punës të re duhet ta blesh edhe librin bazik’. Pra uroj që ministrja Nagavci të ketë mësuar nga ky vit shkollor dhe të mos e përdor këtë vendim por të vendoset sikur herëve të kaluara madje duke ditur qe tekstet janë të dëmtuara shumë uroj që vitin e ardhshëm të kemi tekste të nga 1 deri 9 falas dhe jo në librari por të paguhen me kohë obligimet që i ka MASHT-I”, u shpreh Jasharaj.
Duke folur për kushtet që i kanë mësimdhënësit, Jasharaj dyshon se kjo po bëhet qëllimisht nga ekzekutivi. Këtë e bazon në kundërshtitë që kanë hasur kohëve të fundit, raporton EO.
“Qeveria edhe qeveritë e kaluara e kanë pasur zë të madh në fushata se arsimin e kanë prioritet, populli mbase ka pritur më shumë nga Qeveria Kurti e cila ka pasur fjalë të mëdha të ndryshimeve por e them me plotë gojën se kjo Qeveri ka dështuar në arsim. Është pritur shumë më tepër janë fol shumë çerdhe, janë përmendur fonde të caktuara që do t’i ndahen arsimit por arsimi me shkumës dhe shpuzë. Beteja nuk do të jetë shumë e suksesshme dhe pastaj sikur bëhet me qëllim kjo që të mos kemi rezultate që në PISA të dalim prapë dobët në mënyrë që të çelet atyre t’i shajnë vetëm mësuesit dhe duke i sharë mësuesit ne kemi arritur në një pozitë çfarë e kemi edhe në shkollat tona një mungesë të madhe të disiplinës dhe gradualisht shteti ka arritur ta zverdhë ta dëmtojë publikisht figurën e mësuesit që nuk ish dashur të bëhet”, u shpreh tutje Jasharaj.