Rreshteri nga Lipjani, Zymer Kodra i ka dhënë fund karrierës së tij në Policinë e Kosovës pas dy dekadave. Që nga viti i kaluar ai është përballur me transferime në vendin e punës brenda Kosovës, pas rastit kur atij ia patën larguar nga stacioni në Magurë fotografinë e ish Komandantit Legjendar “Adem Jashari” dhe flamurin kombëtar e shtetëror.
Pas rastit, aso kohe, ai kishte sharë në një grup të “viberit” të kolegëve, duke kërkuar llogaridhënie se kush ia largoi fotografinë dhe flamujt. Kodra aso kohe fillimisht ishte suspenduar nga Policia e Kosovës për një kohë të caktuar, ndërkohë më vonë ishte përballur me ndërrim të vendeve të punës nëpër stacione të Kosovës.
Kujtojmë se rreshteri Zymer Kodra, së bashku me babanë e tij ishin pjesë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërkohë forcat serbe ia kishin vrarë vëllanë.
Kodra, në dorëheqjen e tij nga Policia e Kosovës, ka sqaruar se për dy dekada kishte nderin dhe përgjegjësinë të kontribuonte në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, duke e kryer detyrën me integritet dhe përkushtim.
“Për mua, Policia e Kosovës ka qenë më shumë se një institucion, ka qenë një mision për të cilin jam angazhuar me të gjitha kapacitetet e mia profesionale dhe morale. Megjithatë, përgjatë shërbimit tim kam hasur në sfida të ndryshme, përfshirë edhe çështje që prekin ndjenjat dhe idealet e mia kombëtare. Përkushtimi im ndaj atdheut, flamurit dhe figurave të shenjta të historisë sonë kombëtare, si Komandanti Legjendar Adem Jashari, ka qenë dhe mbetet i palëkundur. Këto vlera kanë udhëhequr çdo hap timin në shërbim dhe do të vazhdojnë të jenë pjesë e identitetit tim edhe përtej detyrës zyrtare”, ka shkruar Kodra në dorëheqjen e tij.
Telegrafi ka kontaktuar me rreshterin Zymer Kodra i cili ka thënë se dorëheqja e tij ishte një vendim të cilin e ka shqyrtuar me kujdes për një kohë të gjatë.
“Nuk ishte i lehtë, sepse Policia ka qenë pjesë e jetës sime për 25 vite, por nuk mund të qëndroja aty kur pashë që vlerat për të cilat kam luftuar dhe sakrifikuar po shkelen. Që nga momenti kur në stacionin ku shërbeja u hoqën flamuri kombëtar dhe fotografia e komandantit legjendar Adem Jashari, e ndjeva se diçka thelbësore po ndryshonte. Për mua, ato nuk janë thjesht simbole, por përfaqësojnë sakrificën dhe lirinë për të cilën kemi luftuar. Ajo ngjarje më bëri të reflektoj thellësisht dhe të kuptoj se nuk mund të vazhdoja të punoja në një ambient ku këto vlera nuk respektohen”, ka thënë Kodra.
I pyetur se a ka pasur ndonjë ndikim suspendimi në këtë vendim, Kodra ka thënë se suspendimi aso kohe i kishte dhënë kohën e nevojshme për ta analizuar situatën, por nuk ishte arsyeja kryesore për dorëheqjen.
“Ky reflektim kishte filluar që nga dita kur ndodhi ai veprim i papranueshëm me simbolet tona kombëtare. E kuptova se nuk mund të vazhdoja më në një institucion ku historia dhe vlerat tona nuk gjejnë vendin e merituar. Vendimi për dorëheqje ishte krejtësisht imi dhe nuk u ndikua nga askush tjetër. Shërbimin tim në Policinë e Kosovës e vlerësoj me krenari. Kam dhënë gjithçka nga vetja për ta kryer detyrën me nder dhe përkushtim. Kam qenë pjesë e institucioneve të sigurisë që nga paslufta, duke filluar me TMK-në e më pas me Policinë. Pavarësisht sfidave dhe sakrificave, unë jam krenar për çdo vit të kaluar në shërbim të vendit tim”, ka thënë më tej Kodra.
I pyetur më tej se a mund të ndodh që disa persona ta shohin dorëheqjen e tij si akt proteste kundër institucioneve shtetërore, ai tha se gjithmonë e ka respektuar Policinë e Kosovës dhe do ta respektojë edhe në të ardhmen.
“E di se çfarë përkushtimi dhe sakrifice kërkon të mbash atë uniformë. Por, kur vlerat për të cilat ke dhënë kontribut, fillojnë të zbehen, atëherë çdo njeri ka të drejtë të marrë vendimin e tij. Unë nuk e shoh këtë si protestë, por si një akt që pasqyron bindjet e mia dhe respektin për historinë tonë”, ka shtuar Kodra.
Sipas tij, Policia është institucion i të gjithë qytetarëve, por duhet të ketë parasysh se Kosova nuk është një shtet i krijuar rastësisht, pasi që sipas tij, Kosova është ndërtuar mbi sakrificën e mijëra luftëtarëve të UÇK-së dhe mbi përpjekjet e popullit për liri.
“Komandanti legjendar Adem Jashari nuk është një figurë politike, por një hero kombëtar i njohur zyrtarisht nga shteti. Flamuri kombëtar shqiptar ka qenë prezent për vite të tëra dhe nuk ka krijuar ndasi. Prandaj, largimi i këtyre simboleve nuk ishte një veprim neutral, por një akt që lëndoi shumë prej nesh”, ka thënë më tej Kodra.
Kodra ka shtuar se shërbimi për atdheun nuk ndalet me një dorëheqje apo me mbarimin e një kapitulli të jetës, andaj kontributi për vendin jepet në forma të ndryshme. Kodra ka sqaruar se do të vazhdojë të kontribuojë ndër breza duke botuar libra për të ruajtur historinë kombëtare. /Telegrafi/