Kur Dragani dhe një grup i bashkëkombësve të tij serb mbërritën në Aeroportin Nikola Tesla të Beogradit në qershor të vitit 2023, ata paraqitën dokumentet si dëshmi se për muaj të tërë kishin punuar jashtë vendit për një kompani ndërtimore ruse.
E vërteta, megjithatë, është shumë ndryshe: Të gjithë po ktheheshin në atdheun e tyre nga fushëbetejat në Ukrainë, ku kishin luftuar në kuadër të njësisë sulmuese ruse, “Ujku”, pasi u ishin nënshtruar stërvitjeve të shkurtra ushtarake në një qendër stërvitore
Ky grup është dëshmia e fundit për një sistem të fshehtë që ofron mbrojtje ndërkombëtare për shërbimet ushtarake të njerëzve nga Ballkani, të cilët shkojnë në vijat e frontit të luftës të vazhdueshme të Rusisë kundër Ukrainës – një konflikt i gjatë që një dekadë, që nisi me aneksimin e Krimesë më 2014 dhe që më pas u zgjerua me pushtimin në shkallë të plotë, kur dhjetëra mijëra forca të rregullta ruse u dërguan përtej kufirit në shkurt të vitit 2022.
Edhe pse fotografitë e tyre shpesh janë publikuar (me fytyra të mbuluara) në Telegram, një platformë mjaft popullore në mesin e ushtarëve në të dyja palët, nuk ka pasur vlerësime të besueshme sesa serbë kanë luftuar përkrahë serbëve, dhe vullnetarë të tillë ngurojnë të flasin, veçmas për gazetarët perëndimorë.
Ministria e Brendshme e Serbisë, ajo e Jashtme dhe Agjencia e Sigurisë dhe Inteligjencës (BIA) nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se sa qytetarë serbë aktualisht janë pjesëmarrës në konflikt.
Por, REL-i ka intervistuar njërin prej tyre lidhur me periudhën sa ishte mercenar, pasi e siguroi se do t’ia fshihte identitetin dhe nuk do të publikonte në detaje përvojën e tij tetëmujore si mercenar më 2022-23. “Dragani”, i cili kaloi dy muaj duke u stërvitur dhe gjashtë të tjera duke luftuar me kontratë në Ukrainë, u dha gazetarëve të REL-it dokumente dhe fotografi, që u lejoi atyre të verifikonin deklaratat e tij përmes burimeve të pavarura.
Historia e Draganit, sa i përmes mosbesimit te ndërmjetësit e dyshimtë dhe komandantëve, tregon se si serbët e joshur, pjesërisht nga dëshira “vëllazërore” po udhëtojnë për në Rusi për t’u stërvitur me nxitim për luftën dhe për t’u dërguar në fushëbetejë. Po ashtu ofron një pamje më të mirë sa u përket serbëve dhe shtetasve të tjerë të Ballkanit që janë në Ukrainë, premtimeve të shkelura dhe arsyeve të tjera që Dragani vendosi të mos kthehej në Rusi apo në llogore.
“Jeta e njerëzve është po aq e vlefshme për ta saqë ishte në kohën e [Josef] Stalinit”, tha Dragani për REL-in, duke përdorur si referencë një nga diktatorët më brutal dhe famëkeq sovjetik për të përshkruar përvojën e tij si mercenar. “Një biznes i madh, në të cilin njerëzit e zakonshëm vriten – të mobilizuar apo të paguar, pak ka rëndësi”.
Pjesëmarrja në luftërat e huaja është krim për të cilin dënimi është deri në tetë vjet, pasi Serbia ashpërsoi ligjet më 2015 dhe paralajmërimet publike të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, kundër pjesëmarrjes në luftëra të huaja janë ashpërsuar që nga fillimi i vitit 2022.
Megjithatë, Serbia, që është shtet kandidat për anëtarësim në BE, po ashtu ka shmangur që t’iu bashkohet sanksioneve të bllokut kundër Rusisë dhe ka mbajtur lidhjet tregtare dhe diplomatike me Moskën. Sondazhet kanë treguar se pothuajse gjysma e popullsisë prej 7 milionë banorësh e Serbisë, ende e sheh Rusinë si aleaten kryesore (shumë para Kinës) dhe simboli “Z”, që përdoret për të treguar mbështetjen për luftën e Rusisë kundër Ukrainës, mund të shihet kudo nëpër Serbi.
Një analizim i dosjeve të gjykatave serbe që nga viti 2014 tregon se – pavarësisht konfirmimit zyrtar se qindra serbë kanë luftuar në Ukrainë në vitet e para të konfliktit – janë shqiptuar vetëm 37 dënime për pjesëmarrje në luftën ukrainase dhe një për organizimin për pjesëmarrje në këtë konflikt. Vetëm gjashtë prej tyre rezultuan me dënime me burgim dhe vetëm një person u dënua me burgim për përfshirje në aktivitete pas përshkallëzimit të konfliktit më 2022. Aktualisht, asnjë person nuk po ndiqet penalisht për pjesëmarrje në luftëra të huaja.
Dragani, i cili është në të 30-tat, kurrë nuk është ndjekur penalisht, sipas të dokumenteve të kufizuara të identifikimit që kanë ofruar gjykatat.
Por, ai kishte udhëtuar për në Moskë në mesin e nëntorit të vitit 2022 për t’u stërvitur dhe për t’u dërguar në luftën në Ukrainë, bazuar në planet për të cilat ai ishte pajtuar me shtetasin tjetër serb, Dejan Beriq.
Beriq vazhdon të jetë jashtë Serbisë që kur iu bashkua forcave ruse në Ukrainë më 2014 dhe ka “pasaportë” të lëshuar nga separatistët e mbështetur nga Rusia, në pjesët e pushtuara të Ukrainës. Ai e quan vetëm reporter të luftës, por ishte hetuar nga autoritetet ruse në mungesë për pjesëmarrje në luftë. Beriq kurrë nuk është fshehur dhe ka mirëpritur luftëtarët serbë në konflikt që nga viti 2014. Në videon e fundit të publikuar në YouTube – video e stilit rekrutues – më 13 shtator ai pretendoi se do të nisej për një udhëtim në mbarë, si pjesë e “komandës së Putinit”.
Beriq dhe një serb i Bosnjës, i identifikuar si Davor Saviçiq, janë të lidhur me njësinë luftarake ruse që ka emrin sikurse noflta e Saviçiqit, “Ujku”, që kur kjo njësi u themelua rreth periudhës kur nisi pushtimi. Të dy këta persona kanë folur hapur, për herë të fundit vitin e kaluar, lidhur me rekrutimin e serbëve për luftë, përfshirë përmes Grupit famëkeq Wagner, pavarësisht rrezikut nga ndjekja penale nga autoritetet serbe dhe boshnjake.
Dragani tha se përderisa besonte se Beriqi do t’i bashkohej apo do ta drejtonte atë te trupat e tjera serbe, ai e pa atë në Ukrainë dy herë kur Beriqi kishte shkuar atje për të realizuar video promovuese.
Ai tha se e kishte parë Saviçiqin, për të cilin autoritetet boshnjake dyshojnë se është mercenar i Wagnerit, në Avdivka dhe Bahmut, dy qytete ukrainase që janë shkatërruar nga luftimet mes forcave ruse dhe ukrainase.
As Beriqi, e as Saviçiqi nuk u janë përgjigjur pyetjeve që REL-i ua ka dërguar në llogaritë e tyre në rrjetet sociale.
Dragani nuk kishte pasur përvojë të mëhershme ushtarake, përveç shërbimit të detyrueshëm ushtarak prej gjashtë muajsh. Ai tha për REL-in se kurrë nuk kishte qenë i përfshirë në grupe nacionaliste, e as nuk kishte qenë aktiv politikisht. Por, ai u tërhoq nga mundësia “për të ndihmuar popullin vëlla rus” dhe pasaportën ruse, që Beriq ia kishte premtuar, që Dragani tha se kurrë nuk e mori. Ai tha se e ka blerë vetë biletën e avionit nga Aeroporti Ndërkombëtar Vnukovo i Moskës, dhe kishte shkuar në Serbi përmes Turqisë.
“Rroga dhe paratë kurrë nuk ishin motivi im”, tha ai.
I pyetur lidhur me pjesën e pagesës, Dragani tha se ai kishte marrë 110.000 rubla (rreth 1.215 dollarë) para kesh për çdo muaj sa ishte në trajnim. Ai ishte trajnuar për dy muaj. Ndërkaq, kishte pranuar pothuajse dyfishin e kësaj shifre për gjashtë muajt sa luftoi në Ukrainë. Paga mesatare mujore atëbotë në Serbi ishte rreth 808 dollarë.
Dragani tha se në aeroportin Vnukovo të Moskës nga një person që ishte prezantuar si Dima dhe, Dragani e kuptoi se ai ishte një oficer i GRU-së, shërbimit të inteligjencës ushtarake të Rusisë. REL-i nuk mundi të konfirmojë se çfarë posti ka Dima. Dima e kishte shoqëruar atë deri në një parking të mbuluar me borë dhe kishte qenë me të në udhëtimin me një furgon të bardhë, udhëtim që zgjati për 45 minuta.
“Udhëtuam përmes një autostrade që kalonte përmes disa zonave të banuara. Në një pikë, nisën të shfaqeshin post-blloqet ushtarake nisën të shfaqeshin”, tha Dragani. “Gjithçka përreth nesh ishte ushtri. Rojet vetëm qëndronin dhe përshëndesnin teksa hapnin laurën, pa thënë asgjë”.
REL-i arriti të konfirmonte këtë dëshmi të Draganit lidhur me këtë udhëtim dhe fotografitë që ai i ofroi që tha se ishin shkrepur në qendrën trajnuese ushtarake Alabino, që gjendet në perëndim të Moskës. REL-i krahasoi detajet nga fotografitë e Draganit me imazhet nga videot e Beriqit nga Alabino dhe konfirmoi se ato ishin bërë në të njëjtin lokacion.
Dragani u dërgua në një tendë me rekrutë të tjerë të rinj serbë, dhe përgjatë dy muajve të ardhshëm të stërvitjeve në Alabino, Dima dhe një oficer tjetër i supozuar i GRU-së, i cili u prezantua me emrin Oleg, ishin përgjegjës për ta.
Dragani tha se afër 25 serbë ishin bashkë me të në Alabino në tetë javët e ardhshme; pesë, tha ai, hoqën dorë para përfundimit të stërvitjeve. Kishte serbë nga Serbia, tha ai, por edhe nga Republika Sërpska e Bosnje e Hercegovinës, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe madje edhe një serb etnik nga Franca. REL-i nuk mundi të konfirmojë në mënyrë të pavarur këtë informacion.
Dragani tha se ai nënshkroi një kontratë gjashtëmujore me një kompani private ushtarake në tendën e Dimas dhe Olegut, edhe pse ai nuk mundi të ofronte një kopje të kontratës apo fotografi të saj. “Në kontratë mund të shihej se nuk kishte të bënte asgjë me Ministrinë e Mbrojtjes të Rusisë, por ishte kontratë me kompaninë private ushtarake, OOO Redut”, tha ai për REL-in. Programet Sistema dhe Skema të REL-it paraprakisht kishin konfirmuar se Rusia atëbotë po përdorte një kompani të quajtur PMC Redut për të rekrutuar dhe për të dërguar luftëtarë në Ukrainë.
Cilat janë kompanitë mercenare ruse?
Siç zbuloi REL-i në tetor të vitit 2023, njësia “Ujku” ishte një prej të paktën 20 formacioneve luftuese në Ukrainë, nën siglën e Redutit.
Që atëherë, pjesërisht si rezultat i poshtërimit të Kremlini përjetoi pasi shefi i Wagnerit, Yevgeny Prigozhin, organizoi një rebelim kundër udhëheqjes ruse të mbrojtjes në qershor të vitit 2023, mercenarët e kontraktuar për Ukrainën kanë nënshkruar kontrata direkte me Ministrinë e Mbrojtjes së Rusisë dhe konsiderohen se janë nën urdhrat e saj.
Dragani tha se pagesat mujore iu dorëzuan nga një person që përdorte nofkën “Amur”. Hulumtimet e REL-it konfirmuan lidhjet e Amurit me Redutin dhe e identifikuan atë si një komandant të forcave aktive mercenare në zonat e pushtuara të Ukrainës. Hulumtimi i njëjtë gjeti se Amuri kishte urdhëruar ato forca për të grumbulluar individë dhe për t’i marrë në pyetje, e për t’i dërguar në “qeli” para se ai personalisht t’i merrte në pyetje dhe t’i torturonte të ndaluarit.
Dragani tha se nuk kishte asnjë ankesë gjatë procesit të stërvitjeve dymujore ushtarake, që tha se zhvilloheshin nga ora 09:00 deri më 17:00, gjashtë ditë në javë.
Ai ishte pjesë e njësisë së quajtur Brigada e Parë Sulmuese Diversante-Sulmuese “Ujqërit” dhe shtoi se grupi ishte trajnuar nga katër instruktorë që sipas tij ishin anëtarë të Forcave të Operacioneve Speciale të ushtrisë ruse.
Ai dhe rekrutët e tjerë u mësuan të qëllonin me armë zjarri, të operonin me dronë, të jepnin ndihmën e parë dhe po ashtu morën pjesë në simulime të betejave dhe të tjera.
Pas dy muajsh në Alabino, Dragani iu bashkua luftës në Ukrainë në janar të vitit 2023.
Ai ofroi shumë detaje lidhur me atë se ku ishte dislokuar ekipi i tij, por këto pretendime REL-i nuk ka mundur t’i vërtetojë përmes fotografive dhe të dhënave të tjera digjitale. Ata luftuan afër Lisiçanskut në rajonin e Luhanskut dhe afër Avdivkës në rajonin e Donjeckut. Më pas, ata ishin dërguan në Soledar – qytet që para luftës kishin afër 10.000 banorë – në rajonin e Bahmutit, që u pushtua nga forcat ruse në janar të vitit 2023.
Dragani tha se gjatë përvojës së tij tetëmujore, kishte hasur edhe në afër 70 serbë të tjerë, edhe pse ai tha se shumë të tjerë ishin dërguar në luftime me më pak trajnim dhe të papërgatitur për beteja. “Ne ishim të vetmit që kishim trajnim [të plotë dymujor]”, tha Dragani. “Të tjerët kishin kryer trajnime nga pesë deri në 14-ditore”.
Ai përmendi rastin e një serbi i cili kishte po ashtu kaluar përmes Alabino, megjithëse ai kishte pasur një periudhë shumë më të shkurtër të trajnimit. Mediat serbe sugjeruan në gusht të vitit të kaluar se Emrah Zorniq, nga Novi Pazari i Serbisë, në mënyrë të mistershme ishte shfaqur në Ukrainë para se të vritej duke tentuar “t’i jepte ndihmë të plagosurve dhe civilëve”.
Por, Dragani pretendoi se Zorniq ishte luftëtar i cili vetëm një pasdite ishte trajnuar në Alabino para se t’i jepeshin armët “dhe kjo ishte e gjitha”. Edhe pse familja e Zorniqit janë myslimanë dhe kishte përpjekje që ai të portretizohej si ortodoks për arsye politike, mediat ruse shfaqën ceremoninë e varrimit të tij, që u mbajt në qytetin jugperëndimor të Tambovit, ceremoni që udhëhiqej nga një prift ortodoks. Po ashtu u pretendua se Zorniq kishte qenë një famullitar në Tambov, qytet rreth 350 kilometra larg nga kufiri ukrainas. Kjo gjë ishte pothuajse e pamundur pasi që ai ditët e fundit i kishte kaluar rrugës nga një qendër trajnuese në periferi të Moskës, për në rajonin Luhansk, në lindje të Ukrainës.
Data e vdekjes së tij është regjistruar si 17 prilli i vitit 2023, që përkon me kohën kur Dragani ishte në Ukrainë. Beriq, “reporteri i luftës”, i cili e rekrutoi Draganin, shkoi në një televizion rus në gusht dhe pranoi se kishte vdekur një serb i paidentifikuar. Ai tha se serbi u vra “afër Bahmutit”. Në po të njëjtin program televiziv, Saviçiq, serbi nga Bosnja i lidhur po ashtu me “Ujqërit”, tha se ai kurrë nuk kishte dërguar në luftë persona të patrajnuar, por e pranoi se sa zgjat trajnimi “varet nga ajo se sa shpejt mund të mësojë një person”.
I pyetur nga REL-i, Dragani tha se 15 serbë kanë vdekur gjatë kohës sa ai luftoi në Ukrainë, edhe pse është e pamundur që ky numër të verifikohet në mënyrë të pavarur.
Pas gjashtë muajsh në Ukrainë, në qershor të vitit 2023, Dragani tha se ishte i zhgënjyer me atë që kishte parë në Ushtrinë e Rusisë. Sipas pikëpamjes së tij, “biznesi dhe korrupsioni po lulëzojnë” dhe “rusët, sikurse i imagjinojmë ne serbët, ekzistojnë në një përqindje shumë të vogël”.
Ai tha se për të ishte e qartë po ashtu se ai kurrë nuk do të pajisej me pasaportë ruse, ashtu siç i ishte premtuar nga Beriqi.
Para se të kthehej në Serbi, Draganit i ishte dhënë një dokument në të cilin thuhej se ai kishte punuar me kompaninë me bazë në Moskë, të quajtur Monte Gradnja, në rast se zyrtarët kufitarë serbë do të dyshonin. Ky dokument, të cilin e ka parë REL-i, kishte vulën e kompanisë dhe nënshkrimin e themeluesit dhe drejtorit të saj, Rajko Baqkoviq. Monte Gradnja nuk iu përgjigj kërkesës për koment, por REL-i zbuloi lidhje mes Baqkoviqit dhe Saviçiqt përmes kompanisë me bazë në Rusi, të quajtur, “Volf Group”. Kjo kompani ka listuar ndërtimin e ndërtesave të banimit si aktivitetin e saj kryesor.
I dyshuar në Bosnje për bashkëngjitje në luftën në Ukrainë, Saviçiq ka ofruar shpjegim të ngjashëm për gazetarët, pas një udhëtimi të zhvilluar jashtë vendit më 2016. Ai ka deklaruar se ishte marrë me punë të ndërtimit. Vitin e kaluar, nëna e vullnetarit serb që luftoi në Ukrainë, Vukashin Stevanoviq, tha për BBC-në se djali i saj “punon në ndërtim”./REL