Wednesday, March 26, 2025

Kallëzimi penal ndaj BIK’ut- Për çka po e akuzon ish-arkëtari myftiun Naim Ternava dhe anëtarët e tjerë të Bashkësisë Islame?

Kastriot Feka, përfaqësues ligjor i autorizuar i Bahri Rexhës, ish-arkëtarit të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), ka ngritur kallëzim penal ndaj krerëve të BIK’ut.

Në kallëzimin penal, të cilin e ka parë Insajderi, disa nga udhëheqësit e BIK’ut akuzohen për keqpërdorimet që kanë ndodhur përbrenda arkës së Bashkësisë Islame.

Hetem Sopjani, kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prishtinë, akuzohet se ka nxjerrë para nga arka, duke i kërkuar Bahri Rexhës që t’i paguajë një herë 5,338 euro e më pas edhe 4,043 euro. Këto kërkesa, sipas kallëzimit penal, i ka bërë me qëllim që t’iu ndihmojë financiarisht dy personave. Në njërin rast për intervenim mjekësor dhe tjetrin për ndihmë financiare.

Nëpërmjet kësaj, Rexha e akuzon Sopjanin për kryerjen e veprës penale “Ushtrim i ndikimit”.

Për të njëjtën vepër penale, Rexha e akuzon edhe myftiun e BIK’ut, Naim Tërnavën dhe Idriz Xhigollin, kryeimamin e bashkësisë islame. Për Xhigolin pretendon se për hesape të Tërnavës, kishte kërkuar nga Rexha t’i jepeshin 20 mijë euro nga arka e BIK’ut. Po ashtu, për të njëjtën arsye, thotë kallëzimi penal, i kishte kërkuar edhe 15 mijë euro.

“I pandehuri Idriz Xhigolli, në datë të pacaktuar, ka ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë dhe me dashje, duke e detyruar të dëmtuarin të japë shumën prej 20,000.00 € (njëzet mijë euro) nga arka e Bashkësisë Islame të Kosovës, duke thënë se ky ishte një urdhër nga Myftiu Naim Tërnava. Po ashtu, më datë 02.08.2022, në emër të Myftiut Tërnava, ai ka kërkuar edhe 15,000.00 € (pesëmbëdhjetë mijë euro). Me këto veprime, Naim Tërnava ka ushtruar ndikim të tërthortë kurse Idriz Xhigolli ndikim të drejtëpërdrejtë mbi vendimmarrjen e të dëmtuarit, duke përfituar pasuri në mënyrë të kundërligjshme”, thuhet në kallëzim penal.

Ndërkaq Pajazit Ternava, i cili prezantohet si nipi (djali i vëllait) të Naim Tërnava, akuzohet se duke shfrytëzuar autoritetin e tij ka ushtruar ndikim që t’i marrë pesë mije euro, e më pas tre mijë euro. Po ashtu, sipas kallëzimit penal, Tërnava ka kërkuar edhe shuma më të vogla, si: 500, 300 euro dhe shuma të tjera. Edhe ai në kallëzim penal akuzohet për veprën penale “ushtrimi i ndikimit”.

Ish-arkëtari i BIK’ut nëpërmjet këtij kallëzimi penal, po ashtu, akuzon Adhurim Nuredinin se është obliguar për rritje të faturave, me qëllim që diferencën e mjeteve financiare t’ia dorëzojë kesh. Në të kundërtën, sipas kallëzimit penal, do të largohej nga puna.

“I pandehuri Adhurim Nuredini në deklaratën e tij të datës 12.06.2023, ka deklaruar se pa dijeninë e tij janë ndërrmarrë veprime në emër të biznesit të tij për të cilin ai kishte menduar se i ishte mbyllur nga ana e kontabilistit Granit Berisha, por që sipas të njëjtit pas një komunikimi përmes telefonit me Këshilllin e Bashkësisë Islame, ishte informuar se kompania tij nuk ishte mbyllur dhe nga e njëjta janë lëshuar fatura në emër të Këshillit të Bashkësisë Islame, pa dijeninë dhe pa autorizimin e të pandehurit”, vijon akuza.

Rexha me avokat Kastriot Fekën ka kërkuar nga prokuroria Themelore në Prishtinë që të fillojnë hetimet ndaj të lartpërmendurve.

Për çka e akuzoi BIK’u ish-arkëtarin e tyre?

Të ardhurat e sadakasë, vitrave, zeqatit, anëtarësisë si dhe qirave të objekteve të Këshillit të Bashkësisë Islame të Kosovës në Prishtinë dyshohet të jenë keqpërdorur për tri vite me radhë nga Bahri Rexha.

Rexha po akuzohen për përvetësimin e përreth 166 mijë eurove nga arka e BIK’ut.

Në kallëzimin penal të cilin e ka parë Insajderi, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari duke keqpërdorur besimin në cilësinë e arkëtarit të KBI, në vazhdimësi nga viti 2020 deri më 2023-ën, me qëllim të përfitimit material, ka keqpërdorur fondet nga buxheti i BIK’ut.

Ai po dyshohet për veprat penale si në vijim: “Mashtrimi”, “Keqpërdorimi i Besimit”, “Përvetësimi në detyrë”, “Përdorimi i paautorizuar i pasurisë” dhe “Vjedhja”.

Në kallëzim penal, në raportet e përpiluara nga BIK’u, dëshmohet se Rexha nuk i kishte dërguar për nënshkrim një pjesë të mjeteve të pranuara.

Po ashtu, thuhet se në disa dëftesa ka shkruar gabim shifrat e të hollave të pranuara. Aty përfshihen shërbime varrimi, para të pranuara nga biznese e persona privatë.

Për vitin 2020, siç qartëson kallëzimi penal të cilin e ka parë Insajderi, nga totali i parave të hyra në BIK, del një diferencë prej 16,179 euro nga ajo çfarë është shkruar dhe çfarë është marrë gjatë kohës sa Rexha ka punuar si arkëtar.

“Duke ju referuar të lartcekurave, sqarimit në fillim të këtij kallëzimi penal duke vazhduar tutje me citimin e raportit i nxjerrë nga komisioni profesional, e që do të ja bashkëngjisim këtij kallëzimi, shihet qartë që tani i pandehuri në mënyrë të qëllimshme, duke keqpërdorur besimin e kryetarit, ka ndërmarr veprime përmes të cilave e ka dëmtuar tani të dëmtuarin në shumën prej 166,528.30 euro“, thuhet në kallëzim penal.

Bahri Rexha fillimisht është suspenduar nga detyra, më 5 mars të vitit 2023.

Ndërkaq, nëntë muaj pas, përmes masës disiplinore, është larguar nga puna si arkëtar i Bashkësisë Islame të Kosovës në Prishtinë.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer