Kandidati për asamble komunale në Skenderaj nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, me numër 30, Ilir Seferi, ka prezantuar një projekt konkret që synon zgjidhjen e problemit të qenve endacakë në qytet.
Në një postim në rrjete sociale, Seferi ka bërë të ditur se në bashkëpunim me veterinerët lokalë dhe partnerë gjermanë do të ndërtohet strehimorja e parë komunale për qentë endacakë në Skenderaj, e cila do të respektojë standardet evropiane të mirëqenies së kafshëve.
Sipas tij, projekti përfshin:
Trajtim, vaksinim dhe sterilizim profesional të qenve;
Vendosje mikroçipësh dhe regjistrim digjital;
Program adopcioni për qytetarët;
Fushata ndërgjegjësuese për kujdesin ndaj kafshëve.
“Kostoja e ndërtimit është rreth 250 euro për metër katror – një projekt real, i përballueshëm dhe i zbatueshëm brenda mandatit të parë,” ka theksuar Seferi.
Ai shtoi se ky projekt nuk është vetëm ndërtim, por një akt humaniteti dhe qytetarie, duke theksuar se “Skenderaji meriton të jetë qytet me standarde evropiane – edhe në trajtimin e kafshëve”.