Tuesday, January 20, 2026

Kaos energjetik: KOSTT tregon se sot do të ketë reduktime të rrymës, po rrezikohet sistemi elektroenergjetik

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) sot në orët e hershme të mëngjesit ka alarmuar sërish për rrezikim dhë cenim të sistemit elektroenergjetik të Kosovës, si pasojë e nominimeve të gabuara nga Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO).

Ky është alarmi i dytë brenda pak ditësh që ngre KOSTT lidhur me devijimet që KESCO është duke shkaktuar në rrjetin interkonektiv evropian, duke vënë kështu në rrezik marrëveshjen me ENTSO – që është mekanizmi evropian përgjegjës për balancim të rrjetit elektroenergjetik në nivel evropian.

“𝐍𝐨𝐦𝐢𝐧𝐢𝐦𝐞𝐭 𝐞 𝐩𝐚𝐦𝐣𝐚𝐟𝐭𝐮𝐞𝐬𝐡𝐦𝐞 𝐭ë 𝐊𝐄𝐒𝐂𝐎 po 𝐫𝐫𝐞𝐳𝐢𝐤𝐨𝐣𝐧ë 𝐬𝐭𝐚𝐛𝐢𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢𝐧 𝐞 𝐬𝐢𝐬𝐭𝐞𝐦𝐢𝐭. KOSTT po përballet me vështirësi të jashtëzakonshme në balancimin e sistemit në kohë reale, si pasojë e devijimeve të mëdha ndërmjet energjisë së nominuar dhe kërkesës reale”, alarmon KOSTT.

Në njoftimin e KOSTT, thuhet se “Sot, më 20.01.2025, KESCO ka nominuar rreth 26.17% më pak energji sesa kërkesa reale, duke e çuar Zonën e Kontrollit KOSTT në jo balanca mesatare prej rreth 211 MW orë, ndërsa në disa orë këto jo balanca tejkalojnë 260 MW orë”.

“Kjo situatë është e papranueshme dhe cenon stabilitetin e sistemit elektroenergjetik”

KOSTT bën thirrje që nominimet të reflektojnë saktë kërkesën reale dhe të korrigjohen menjëherë, për të shmangur devijimet dhe për të ruajtur sigurinë e sistemit. Në këtë situatë, KOSTT njofton se detyrohet që nga ora 10:00 të kërkojë aplikimin e kufizimit të ngarkesës, si masë e fundit për garantimin e operimit të sigurt, deri në përmirësimin e gjendjes.

Edhe javën e kaluar, KOSTT kishte lëshuar një alarm të ngjashëm.

Edhe për ditët 13 janar dhe 14 janar, nominimet nga KESCO ishin të gabuara deri në atë nivel, sa devijimet në orë të caktuara shkuan edhe mbi 200 MW. Kjo situatë e ekspozon Kosovën si vend problematik në raport me mekanizmat ndërkombëtar të energjisë.

KESCO e nominon (parashikon) një ditë më herët në KOSTT energjinë bazuar në konsum. Nëse parashikimi është më i madh osë më i vogël se konsumi shkaktohen devijime në rrjet.

Devijimet e larta dhe në vazhdimësi mund ta rrezikojnë marrëveshjen e Kosovës me ENTSO-E.

Kosova ka nënshkruar marrëveshje të kycjes me ENTSO në vitin 2020 dhe kjo shënon hapin kryesor të shkëputjes së Kosovës nga Serbia në energjetikë. Me këtë anëtarësim KOSTT është bërë zotërues i linjave të transmisionit për Kosovën, e jo sic është njohur Kosova si zonë e Serbisë në energjetikë para vitit 2020.

Por kjo marrëveshje me ENTSO po rrezikohet seriozisht nga nominimet gabim të energjisë elektrike nga operatori KESCO, sipas njoftimit të KOSTT.

Sipas KOSTT, “këto devijime po ndikojnë negativisht në rrjetin interkonektiv evropian, rrisin ndjeshëm rrezikun për stabilitetin e sistemit dhe mund të sjellin pasoja serioze për KOSTT-in, përfshirë masa ndëshkuese dhe rrezikim të Marrëveshjes së Kyçjes me ENTSO-E”.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer