Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka siguruar qytetarët se do të ketë furnizim të rregullt me energji elektrike, duke hequr çdo dyshim për reduktime pas sulmit që është kryer në kanalin e Ibër-Lepencit më 29 nëntor në Zubin Potok.
Si shkak i këtij sulmi dhe rrezikut që vendi të mbetet pa energji elektrike, ekspert të energjisë kanë bërë thirrje që institucionet përgjegjëse të shikojnë mundësi për të gjetur alternativa tjera, duke mos u varur vetëm nga Ibër Lepenci.
Si alternativë, madje përmendet edhe krijimi i një liqeni artificial.
Zëdhënësi i KEK-ut Skënder Bucolli, ka thënë se KEK-u ka siguruar energjinë elektrike nga marrëveshja që ka me Korporatën Energjetike Shqiptare (KESH), ku sipas tij, në kontratë kjo nuk është obligative, por që të dy korporatat i ndihmojnë njëra- tjetrës kur do që të ketë nevojë.
Bucolli ka thënë se energjin elektrike nuk e blejnë e as nuk e shesin me KESH-in, por që i depozitojnë megavate energji elektrike ndërmjet shteteve kur do që të jetë nevoja.
“Ata që e kanë bërë, kanë menduar që do të na lënë në terr për ditët të tëra, apo edhe muaj. Falë një bashkëpunimi nga Ministria e Ekonomisë, Njësia për monitorimin e ndërmarrjeve publike, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, pastaj KRU-t, kemi qëndruar gati gjithë natën në termocentralin Kosova B, ku është krijuar si shtab emergjent dhe ka pasur opsione edhe nga ato që të mblidhet të gjithë autobotet që ka në dispozicion Kosova dhe të mbushet kanali me ujë në rast se do të kishte ndodhur një ndërprere totale nga Ibër-Lepenci. Fatmirësisht intervenimi i tyre ka qenë i shpejt diku rreth orës tre të mesnatës kemi marr njoftimin për vendosjen e gjashtë gypave të cilët do të sjellin 25 për qind të kapaciteteve të Ibër-Lepencit. KEK-u për sa nuk ka pasur kapacitet e sigurta kemi siguruar energji, se ne kemi edhe një marrëveshje me Korporatën Energjetike Shqiptare e cila nuk është obligative për palët, mirëpo i dalim në ndihmë sa herë do që njëra palë ka nevojë. Nuk shesim as nuk blejmë, japim kompensim megavat për megavat, kur do që kemi nevojë. Në këto raste, në shumicën e kohës depozitojmë energji elektrike gjatë sezonit të verës kur ata kanë nevojë më shumë, ndërsa e marrim nga KESH në sezonin e dimrit kur ne kemi nevojë më shumë”, ka thënë ai për EO
Bucolli ka thënë se KEK-u është duke shikuar mundësit e alternativave të tjera për ftohjen e termocentraleve, duke përmendur këtu furnizimin nga Liqeni i Batllavës ose krijimin e një liqeni artificial.
Ai ka theksuar se pavarësisht infrastrukturës së vjetruar qytetarët do të furnizohen rregullisht me energji elektrike, duke shtuar se në rast të ndonjë rrjedhje që mund të ketë në termocentral të ri mund të ketë ndalje të përkohshme deri në 42 orë, por që sipas tij, për momentin nuk parashihet që të ketë këso probleme pasi siguria e operimit është ngritur në të gjitha njësitë prodhuese.
“Tash për momentin dy termocentrale nuk furnizohen nga i njëjti burim, termocentrali Kosova A nuk ka qenë i prekur sepse furnizohet nga tjetër burim, ka qenë vetëm Kosova B. Do të shihen mundësitë apo do të kemi nga Batllava, apo do të krijohet ndonjë liqen artificial në pjesën e minierave edhe pse ka pasur edhe në të kaluarën disa tentativa, do t’i shikojnë mundësitë në të ardhme që të krijohet. Sigurisht që ne bazën e kemi nga Ibër-Lepenci, por do të shihen mundësi që të krijohen rezerva të sasive për situatë krizash”.
Bucolli ka thënë se siguria e operimit është ngritur në të gjitha njësitë prodhuese.
” KEK-u fillimisht duhet theksuar kapacitete tona, pajisjet tona teknike-teknologjike janë shumë të vjetruara, megjithatë janë bërë gjitha riparimet e nevojshme, në Kosovën B janë bërë edhe riparimet kapitale më të gjata, duke pasur parasysh që janë shumë të vjetruara, ne mund të kemi ndonjë rrjedhje që mund të ketë në termocentral të ri mund të kem ndalje të përkohshme afërsisht 42 orë. Por, nuk parashihet që të kemi problem sepse siguria e operimit është ngritur në të gjitha njësitë prodhuese”, ka thënë Bucolli për EO.