Bordi i Drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës ka miratuar vendimin për shpërndarjen e një bonusi prej 400 euro neto për secilin të punësuar në korporatë.
Ky vendim, sipas KEK-ut, është marrë në bazë të kompetencave statutare të Bordit dhe në përputhje me Ligjin për Ndërmarrjet Publike. Gjithashtu, ai reflekton praktikat e mira ndërkombëtare të qeverisjes korporative dhe është mbështetur në performancën e mirë financiare të KEK Sh.A. gjatë vitit 2024.
“Bordi e ka ndërmarrë këtë vendim me bindjen se mirëqenia e punonjësve mbetet një ndër prioritetet kryesore strategjike. Ata janë aseti më jetik i korporatës dhe themeli i suksesit e stabilitetit të saj”, thuhet në njoftimin zyrtar të KEK-ut.
Njoftimi i plotë:
Sot, në mbledhjen e rregullt të Bordit të Drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK Sh.A.), është miratuar vendimi për ndarjen e një bonusi në vlerë prej 400 euro neto për të gjithë të punësuarit e korporatës.
Ky vendim është marrë bazuar në kompetencat statutare të Bordit, sipas Ligjit për Ndërmarrjet Publike dhe në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare të qeverisjes korporative, si dhe mbi bazën e performancës së mirë financiare të KEK Sh.A. gjatë vitit 2024.
Njëkohësisht, në shqyrtimin e këtij vendimi janë marrë parasysh edhe kërkesat e dy sindikatave aktive në KEK Sh.A. – SR-KEK dhe SPEK – të adresuara gjatë takimeve të rregullta me menaxhmentin ekzekutiv.
Bordi e ka ndërmarrë këtë vendim me bindjen se mirëqenia e punonjësve të KEK Sh.A. mbetet një prioritet strategjik, duke i konsideruar ata si asetet më vitale të korporatës dhe themel të suksesit dhe stabilitetit të saj.
Ky bonus përfaqëson një vlerësim të drejtpërdrejtë për përkushtimin, profesionalizmin dhe kontributin e vazhdueshëm të stafit në përmbushjen e objektivave të korporatës në sektorin energjetik të vendit.
Zbatimi i vendimit do të bëhet nga menaxhmenti ekzekutiv, në koordinim me njësitë përkatëse financiare dhe administrative të KEK Sh.A.