Mosmarrëveshjet për borxhe shpeshherë shkaktojnë incidente të ndryshme në vendin tonë, të cilat eskalojnë në përleshje e kanosje. Si rrjedhojë e kësaj krisen miqësi e lidhje familjare dhe lindin konflikte serioze. Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në Mitrovicë, ku dy persona dyshohen se kanë kërcënuar një 29-vjeçar, raporton Gazeta Sinjali.
Rasti dyshohet të ketë ndodhur për shkak të borxheve që viktima ka pasur ndaj të dyshuarve dhe nuk kishte arritur t’ua kthente. Për pasojë, ai u përballë me kërcënime serioze, për çka u detyrua ta raportojë rastin në Polici.
Kështu kanë bërë me dije burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë dhe kanë njoftuar se viktima kishte pranuar mesazhe kërcënuese në numrin e tij kontaktues. Të dyshuarit e kanë kanosur edhe me jetë, duke i thënë se “do të vrasim ty dhe familjen tënde”, thonë tutje burimet.
Përballë kësaj situate, viktima i ka denoncuar të dyshuarit dhe ka dhënë deklaratën e tij lidhur me atë që kishte ndodhur mes tyre.
Si rezultat i denoncimit, Prokurori i Shtetit, ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Kanosje”, ndërsa veprimet e tjera do të ndërmerren posa të sigurohet prezenca e të dyshuarve.