Albert Krasniqi nga organizata Democracy Plus ka kërkuar shkarkimin e dy anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, pas reagimeve të fundit nga partnerët ndërkombëtarë të Kosovës lidhur me mos certifikimin e Listës Serbe në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Krasniqi ka thënë se dy anëtarët e LVV-së në KQZ meritojnë të shkarkohen nga pozita e tyre pas veprimeve të fundit.
Sipas Krasniqit, dy anëtarët e VV-së në KQZ kanë shfaqur sjellje dhe mosnjohje elementare të ligjeve, duke synuar dëmtimin e procesit zgjedhor.
“Mjafton të lexohen reagimet e fundit të shteteve mike të Kosovës për të kuptuar qartë se si po vlerësohen veprimet e tyre destruktive. Këta dy anëtarë po i shkaktojnë dëm të drejtpërdrejtë integritetit të KQZ-së dhe besimit publik në procesin zgjedhor”, ka shkruar Krasniqi.
“Anëtarët e KQZ-së betohen se do t’i kryejnë detyrat me ndershmëri, paanshmëri dhe profesionalizëm. Ligji parasheh se mandati i një anëtari mund të ndërpritet kur sjelljet apo veprimet e tij e dëmtojnë seriozisht statusin dhe integritetin e Komisionit. Një vendim i tillë merret me shumicën prej dy të tretave (2/3) të anëtarëve të KQZ-së. Dy anëtarët e emëruar nga LVV kanë shfaqur sjellje që ose tregojnë mosnjohje elementare të ligjeve, ose synim të ndërgjegjshëm për të dëmtuar procesin zgjedhor. Çdo njëra prej këtyre mjafton për t’i shkarkuar nga detyra – dhe rastet e grumbulluara deri më tani janë të shumta. Ndërsa anëtarët tjerë duhet të tregojnë më shumë guxim dhe t’i qëndrojnë prapa betimit të dhënë për paanshmëri dhe profesionalizëm”, thuhet në postimin e Krasniqit.