E diel, 5 Janar, 2025

“Këshilltari i Kurtit i përfshirë në aferën 37 milionëshe korruptive të KEK-ut”

Në aferën 37 milionë euroshe që përshkruhet në dosjen e Prokurorisë Speciale ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, aty përfshihet hiç më pak se Këshilltari i Jashtëm i Albin Kurtit, Fisnik Korenica, i angazhuar për çështje të dialogut Kosovë-Serbi, ka raportuar mediumi Paparaci.

Përfshirjen e tij të thellë në çështjet e energjisë elektrike e ka zbuluar deklarimi i pasurisë nga bashkëshortja e tij, që kishte deklaruar se ai kishte në pronësi një kompani që merrej me energji elektrike. Korenica ishte aksionar 50 për qind në një kompani që merrej me energji elektrike. Kjo kompani, tashmë ka kaluar në pronësi 100 për qind të Bardhyl Hasanpajat, njeriu i afërt me Vjosa Osmanin”, shkruan mediumi.

Emrin e Fisnik Korenicës e ka përmendur vetë Nagip Krasniqi, i cili tashmë ka aktakuzë të dytë e ku ngarkohet me dyshime për shkaktim dëm të buxhetit të shtetit prej 37 milionë eurosh. Por, si e përmendi dhe si u ‘zhvosh’ Korenica?

Paparaci shkruan kështu:

Korenica, që njihet në publik si një figurë intelektuale e shoqërisë civile në fushën juridike, është “zhveshur”, nga gruaja e tij, e cila punon në institucionin e Avokatit të Popullit.

Në deklarimin e pasurisë, ajo thekson se bashkëshorti i saj është aksionar 100 për qind në një kompani të energjisë.

50 për qind i kishte Bardhyl Hasanpapaj, njëri i afërt i Vjosa Osmanit – presidente e Kosovës.

Osmani, sa ishte drejtuese e Partisë Guxo, kishte zyrat në objektin e Hasanpapajt.

Tashmë, në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, pronar 100 për qind i kësaj kompanie është Bardhyl Hasanpapaj.

Deklarimi i pasurisë për vitin 2023 nga bashkëshortja e tij Anita Çavdarbasha-Korenica, ka zbuluar se këshilltari i Kurtit ishte i përfshirë në fushën e energjisë elektrike nëpërmjet një kompanie të cilën ai e ka zotëruar pjesërisht deri në vitin 2023.

Bashkëshortja e tij, si zëvendës-Avokate e Popullit, në deklarimin e pasurisë për vitin 2023, kishte deklaruar se bashkëshorti i saj, Korenica, kishte 50 për qind të aksioneve në shoqërinë me përgjegjësi të kufizuar, “Smart Energy and Infrastrukture”.

Ajo kishte deklaruar se data e regjistrimit të kompanisë së këshilltarit të Kurtit ishte 16 korriku i vitit 2021 dhe po atë ditë ishte edhe data e përfitimit të aksioneve.

Pas deklarimit të pasurisë nga bashkëshortja e Korenicës, kjo kompani i është bartur, Bardhyl Hasanpapajt, i cili zotëron 100 për qind të kapitalit.

Përfaqësues i autorizuar i këtij biznesi është Ardian Kaçanik që mban pozitën e drejtori menaxhues, thuhet në të dhënat e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës.

Si aktivitet kryesor të “Smart Energy and Infrastructure”, është këshillimi për biznes dhe këshilla të tjera për menaxhim.

Si aktivitet dytësor ka prodhimin e energjisë elektrike, ndërkaq si aktivitete të tjera janë edhe transmetimi dhe shpërndarja e energjisë elektrike.

Aktivitet tjerë i kësaj kompanie është edhe tregtia e energjisë elektrike.

Për tre vjet, tri banesa

Në deklarimin e pasurisë së bashkëshortes së Korenicës, shihet se çifti për tre vjet ka blerë tri banesa. Banesën me 90 metra katrorë e blerë në vitin 2018 kishte vlerën e 95 mijë eurove dhe është deklaruar si e përbashkët.

Dy banesa të tjera janë të blera në vitet 2021 dhe 2022. Të dyja janë në pronësi të Fisnik Korenicës, sipas deklarimit të pasurisë së bashkëshortes së tij.

Banesa 72.80 metra katrorë ishte blerë në vitin 2021 dhe kishte vlerën 36 mijë e 400 euro.

Një vit më vonë, ishte blerë banesa me 82.50 metra katrorë, nëpërmjet kontratës bashkëinvestimi me këste mujore. Vlera ishte 21 mijë e 663 euro.

Angazhimi në qeverinë e Kurtit

Profesori Korenica gjithashtu është i angazhuar si këshilltar i kryeministrit Albin Kurti për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai paguhet nga një projekt ndërkombëtar dhe paga e tij për këtë angazhim është 2 mijë e 137 euro në muaj.

Korenica ishte fotografuar përkrah Kurtit dhe zyrtarëve të lartë të qeverisë, të cilët shihen duke drekuar.

Ish-kryeshefi i KEK-ut, në dëshminë e tij para prokurorëve specialë ka deklaruar se rekomandimin për angazhimin e studios ligjore të Isuf Zejnës për konsulencë ligjore e ka marrë nga “miku i tij Fisnik Korenica dhe nga BE-ja”.

Korenica, një profesor i asocuar i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, është bashkë-themelues i Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), një organizate të shoqërisë civile.

Bashkë-themelesi i kësaj organizate, Dren Doli, në fillim të janarit të vitit 2022 ishte emëruar ambasador i Kosovës në Holandë, me propozimin e qeverisë së udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.

Si Krasniqi, ashtu edhe Zejna, akuzohen nga Prokuroria Speciale për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar për kontratën e lidhur mes KEK-ut dhe studios ligjore “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, në vlerë 60 mijë euro.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Krasniqi ishte konsultuar paraprakisht me Isuf Zejnën për kontratën që do ta lidhnin më vonë.

Krasniqi dyshohet se i kishte kërkuar shefit të prokurimit në KEK që të iniciohet procedura e prokurimit të negociuar për angazhimin e konsulentit për këshillime ligjore edhe përkundër se në deklaratën e nevojave dhe përcaktimit të disponushmërisë së fondeve nuk ishte e paraparë, duke e përcaktuar si operator të vetëm “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”.

Sipas Prokurorisë, studio ligjore në pronësi të Zejnës paraprakisht në një procedurë të hapur të prokurimit ishte shpallur i papërgjegjshëm.

Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Në deklarimet e tij të dhëna në prokurori me datën 29 dhe 30 gusht 2023, i pandehuri Nagip Krasniqi, ka deklaruar se “rekomandimin për angazhimin e Isuf Zejnës, e kishte marr nga BE dhe nga një mik i tij Fisnik Korenica”.

Krasniqi ka thënë se komunikimet që i ka zhvilluar me avokatin Isuf Zejna nuk kanë zbuluar asnjë sekret afarist, e as nuk është cenuar interesi i korporatës.

“Lidhur me dokumentin me titullin ‘Shërbime konsulente ligjore për korporatën energjetike të Kosovës termat e referencës Ter’, ka deklaruar se mund tu referohen rasteve potenciale të arbitrazhit dhe se nuk i kujtohet nëse ky dokument është draftuar nga “Rexhepi Zeqiri Zejna LLC”, thuhet në aktakuzë.

Lidhur me komunikimin me e-mail, të datës 6 shkurt 2023 dhe 3 mars 2023, Krasniqi ka deklaruar se ky komunikim kishte të bënte me konsulencën ndërkombëtare për rindërtimin e Kosovës A.

Kurse, për komunikimin me Isuf Zejnën përmes email-it me këtë përmbajtje “ju dhashë instruksion me ba vetëm çmimin ditor, jo atë limitin mujor”, “bisedo me Ymerin”, deklaroi se qëllimi i kësaj kishte qenë që çmimi të kalojë tarifën e Odës së Avokatëve dhe arsyeja pse ishte kyçur në këtë proces të prokurimit ka qenë për shkak të mungesës së resurseve në KEK.

E komunikimet tjera me Zejnën në WhatsAppp, Nagip Kransiqi ka thënë se nuk i kujtohen.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer