Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe agjencitë e saj janë shndërruar në “çerdhe” për rehatimin e njerëzve të pushtetit.
Pas punësimit të motrës së ministrit Xhelea Seveçla dhe mostrës së zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Blerim Gashi, në këtë ministri po synohet të rehatohen edhe njerëzit e besueshëm të ministrit Peci.
Arian Bugari, këshilltar politik i ministrit Faton Peci, i ka hyrë garës për të marrë dy pozita të larta në administratën e kësaj ministrie.
Gazeta Nacionale ka siguruar dokumentet që tregojnë pozitat udhëheqëse që po synon Arian Bugari në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, e cila vepron në kuadër të ministrisë së Bujqësisë.
Njëra nga pozitat që synon të marrë Bugari është ajo e “Udhëheqësit të Sektorit për Inspektime” në AUV.
Në njoftimin që e ka siguruar gazeta thuhet se pas përfundimit të procesit të verifikimit paraprak të aplikacioneve, Bugari i ka plotësuar kushtet për këtë pozitë.
Përveç atij, për këtë pozitë kanë aplikuar edhe 11 persona tjerë.
Më shumë konkurrentë, këshilltari i Pecit pritet të ketë për pozitën e dytë që ka aplikuar në këtë agjenci.
“Udhëheqës i Sektorit për Inspetime(Kufitare)”, është pozita e dytë që ka aplikuar Bugari.
Në njoftimin që e ka siguruar gazeta shihet se për këtë pozitë kane aplikuar edhe 16 persona tjerë.
Në të dy njoftimet thuhet se kandidatët të cilët i plotësojnë kriteret e kërkuara sipas konkursit, do të njoftohet me kohë për vazhdimin e procedurave të konkursit, përkatësisht testit me shkrim dhe intervistës.
Njoftimet janë nënshkruar më 29 nëntorit të këtij viti.
Gazeta Nacionale do ta përcjell zhvillimin e këtyre konkurseve për të parë se në cilën nga këto pozita do të zgjidhet këshilltari i ministrit Peci.
Çka thotë ligji?
Ligjet në fuqi nuk e lejojnë që një këshilltar politik gjatë mandatit të tij të aplikojë për ndonjë pozitë në shërbimin civil. Një veprim i tillë konsiderohet si konflikt i interesit.
Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, konkretisht neni 18, sqaron kur një zyrtar i lartë ka kufizime.
At specifikohet se një këshilltari politik nuk ka drejtë të punësohet në administratë pa kaluar dy vite pas përfundimit të mandatit.
“Zyrtari i Lartë nuk ka të drejt “të punësohet ose të emërohet, për një periudhë deri në dy (2) vjet pas përfundimit të funksionit publik, në pozitë udhëheqëse ose menaxhuese, apo të përfshihet në kontrollin ose auditimin e institucioneve publike dhe private dhe institucioneve vartëse të tyre të cilat kanë marrëdhënie biznesi me institucionin ku ka ushtruar funksionin publik, nëse detyrat e tij gjatë periudhës dy-vjeçare para përfundimit të ushtrimit të funksionit publik kanë qenë drejtpërdrejtë të lidhura me mbikëqyrjen, kontrollin apo sanksionimin e aktivitetit të tyre”, thuhet në nenin e ligjit.
Në një nen tjetër, ligji në fjalë e specifikon se çka është zyrtari i lartë.
Ky nën tregon se duhet të shikohet Ligji për Deklarimin e Pasurisë, për të kuptuar se kush janë Zyrtar të Lartë.
Kurse, Ligji për Deklarimin e Pasurisë, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe të Dhuratave, respektivisht neni 4, ndër të tjerë, thotë se zyrtarë të lartë llogariten edhe, “Këshilltarët e Presidentit të Republikës së Kosovës, Këshilltarët e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Këshilltarët e Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe Këshilltarët e ministrave të Qeverisë së Kosovës, përfshirë këshilltarët e jashtëm politikë”.
Pra, sipas këtyre ligjeve Arian Bugari është Zyrtarë i Lartë. Rrjedhimisht del se nuk mund të emërohet në këtë pozitë.
Gazeta Nacionale vazhdimisht ka raportuar për punësimin e familjarëve të pushtetarëve në këtë ministrit.
Në shkurt të vitit 2022, motra e ministrit Xhella Sveçla ishte punësuar në pozitën “zyrtar i lartë i pagesave direkte” në Drejtorin e Pagesave Direkte të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, agjenci kjo që vepron në kundër të ministrisë së Bujqësisë.
Në të njëjtin vit, në këtë ministrit, si zyrtare e arkivës ishte punësuar edhe motra e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Blerim Gashani.