Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e së premtes në fshatin Klinë e Epërme në Skenderajt, ku një person është therur me thikë si pasojë e një mosmarrëveshjeje. Viktima menjëherë është dërguar për ndihmë mjekësore në QKMF-në e Skenderajt, ndërsa dy persona të dyshuar në lidhje me rastin janë arrestuar nga Policia.
Ngjarja ka ndodhur për shkak të një mosmarrëveshjeje mes viktimës dhe dy të dyshuarve, lidhur me disa punime elektrike në shtëpinë e tyre.
Përplasja e tyre verbale ka eskaluar në dhunë fizike, duke kulmuar me therjen e të riut.
Sinjali mëson se dy të dyshuarit në lidhje me këtë rast janë bëbë e bir: Bellan Mecini (rreth 72-vjeçar) dhe Kemajl Mecini (rreth 42-vjeçar).
Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka arrestuar të dyshuarit, ndërsa Njësia e Hetimeve dhe Forenzika kanë bërë ekzaminimet e nevojshme.
Viktima fillimisht është transferuar në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, e më pas në QKUK-Prishtinë për trajtim të mëtejshëm. Fatmirësisht, pas ndihmës mjekësore, ai është liruar për në shtëpi.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Lëndim i rëndë trupor”, ndërsa babë e bir janë ndaluar për 48 orë.
Hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.