Mesnatën e së martës në qytetin e Vushtrrisë disa zyrtarë policorë janë përballur me një sulm fizik nga tre qytetarë, të cilët nuk iu binden urdhrave për t’i paraqitur dokumentet e tyre identifikuese. Njëri nga të dyshuarit sulmoi fizikisht një nga policët dhe të njëjtit i shkaktoi lëndime të rënda trupore, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se tre të dyshuarit janë
- Berat Gjyshinca 26-vjeçar
- Albi Mavriqi 26-vjeçar
- Mentor Zeqiri 27-vjeçar
26-vjeçari, Berat Gjyshinca, dyshohet të jetë personi i cili ka sulmuar zyrtarin policor që përfundoi në spital. Ky i fundit, pas ekzaminimeve mjekësore u konstatua se ka pësuar frakturë në gisht.
Sipas informacioneve të para, Gjyshinca është vëllai i deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Gazmend Gjyshinca.
Sinjali që nga paraditja ka tentuar që të marrë një prononcim nga deputeti Gjyshinca, mirëpo i njëjti nuk është përgjigjur në telefonatat e redaksisë.
Ai bashkë me dy të dyshuarit tjerë janë shoqëruar në stacion policor ku janë intervistuar lidhur me rastin.
Me urdhër të prokurorit, tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.