E diel, 27 Tetor, 2024

Kirurgut që iu ngrit aktakuzë për sulm ndaj kolegut, i zgjatet masa e pezullimit nga puna për periudhë të pacaktuar

Komisioni Disiplinor në Spitalin Rajonal të Gjilanit ka marrë vendim që t’i zgjatet masa e pezullimit nga puna për periudhë të pacaktuar deri në një vendim meritor të Gjykatës, kirurgut Luan Mustafa.

Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se ky vendim erdhi pas ngritjes së aktakuzës ndaj kirurgut, Luan Mustafa më 21 shkurt 2024, për sulm ndaj personit zyrtar

“I zgjatet masa e pezullimit nga puna për periudhën kohore të pacaktuar deri në një vendim meritor të Gjykatës Themelore në Gjilan”, thuhet në vendim, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh nga dita e marrjes së të njëjtit në Komisionin për ankesa të Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit.

Ndryshe, Mustafa ishte suspenduar nga puna për tre muaj me 50% të pagës një ditë pas sulmit ndaj kolegut të tij.

Kirurgu Mustafa ishte arrestuar më 16 janar 2024 nën dyshimin se sulmoi fizikisht kolegun e tij, kirurgun Arbër Morina, në Spitalin Regjional në Gjilan dhe ishte dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndërsa, më 17 janar 2024, Gjykata Themelore në Gjilan ndaj Mustafës caktoi masën e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar.

Më pas, Prokuroria Themelore në Gjilan më 21 shkurt 2024, ka ngritur aktakuzë ndaj kirurgut, Luan Mustafa, i cili ngarkohet se më 16 janar të këtij viti kishte sulmuar kolegun e tij kirurgun, Arbër Morina, i cili mban pozitën ushtrues detyre i shefit të repartit të Kirurgjisë, në Spitalin Regjional në Gjilan.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri kishte hyrë në zyrën e të dëmtuarit i revoltuar ndaj tij, pasi ky i fundit kishte paraqitur vërejtje ndaj të pandehurit me pretendimet për parregullsi të sjelljeve profesionale, dhe pasi i dëmtuari i shkruan këto vërejtje dhe i kërkohet nga Drejtoria e Spitalit të deklarohet me shkrim, i pandehuri ka shkuar në zyrën e të dëmtuarit dhe i mllefosur ka filluar t’i kërkojë llogari për vërejtjet e paraqitura.

Sipas aktakuzës, edhe pse i dëmtuari i kishte kërkuar të dalë nga zyra, tani i akuzuari nuk ishte larguar dhe e kishte sulmuar.

Me këto veprime, i akuzuari Mustafa ngarkohet se ka kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar” nga neni 402, par.3 lidhur me par.1 të KPRK-së.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer