Avokati Ivan Niniq ka publikuar në llogarinë e tij në X foto të makinës së shkatërruar të Millan Vukashinoviqit nga Leposaviqi, i cili u plagos nga forcat e xhandarmërisë serbe fundjavën e kaluar në rrethana të paqarta pranë fshatit Jelakce, dhe u transferua në një spital në Nish, ku mjekët po luftojnë për jetën e tij.
Niniq tha se “Vukashinoviq është qëlluar padyshim me një plumb serb, si një kafshë”.
Së bashku me këto pretendime, ai bashkëngjiti edhe foto të makinës së shkatërruar që i përkiste Vukashinoviqit, teksa bëri thirrje për bashkësinë ndërkombëtare që të reagojë pasi, sipas tij, “kjo është Banjska 2”, shkruan Klankosova.tv, transmeton Periskopi.
“Makina e Milanit, e cila u shkatërrua gjatë sulmit ndaj tij, u gjet sot! I bëj thirrje EULEX-it dhe KFOR-it të kryejnë një hetim në vendngjarje, por komunitetit ndërkombëtar të reagojë, sepse kjo është ‘Banjska 2’”, tha avokati Niniq.
