E mërkurë, 20 Nëntor, 2024

“Kjo sjellje është e turpshme”- reagon sindikata e minatorëve pas fotove të publikuara nga menaxhmenti i Trepçës

Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka reaguar pas publikimit të fotografive të menaxhmentit të ndërmarrjes publike, në të cilat kanë pretenduar se ka pasur hyrje-dalje pa kontroll dhe iu është sjellë ushqim grevistëve të Minierës së Trepçës.

Kjo sindikatë e ka quajtur si “sjellje të turpshme” një veprim të tillë nga ana e “Trepça Sh.A”, si dhe I kanë vlerësuar si tendenca frikësuese atë që menaxhmenti tha se “do të merren vendime” në ditët në vazhdim, shkruan Gazeta Insajderi.

“Në faqen zyrtare në Facebook të ndermarrjes Trepca Sh.A janë publikuar disa fotografi te grevisteve dhe personave te vullnetit te mire te cilet kan shprehur gadishmerin për të ndihmuar minatoret e mbyllur ne miniere”, thuhet në reagim.

“…Një tendence të tillë friksuese dhe shantazhuese ndaj minatoreve grevist e konsiderojm si përpjekje të dështuar, të një menaxhmenti të papërgjegjshëm, joprofesional dhe dhe jolegjitim”, vijon reagimi.

Minatorët e Trepçës po vazhdojnë të qëndrojnë 700 metra nën tokë në grevë urie. Disa nga ta u obliguan të largoheshin e të drejtoheshin për në qendra mjekësore për shkak të përkeqësimit të gjendjes.

Mirëpo, menaxhmenti i Trepçës ka vendosur t’ua bëjë gjyqin publik dhe t’i quajë “sabotues” grevistët, të cilët po kërkojnë paga të dinjitetshme dhe përmirësim të kushteve të punës.

Në një postim në rrjetin social ‘Facebook’, në faqen zyrtare të ‘Trepça Sh.A’, menaxhmenti i Trepçës ka publikuar pamje nga kamerat e sigurisë, duke thënë se ka pasur “hyrje dalje të pakontrolluara dhe sjellje të drekave dhe darkave” për grevistët.

“Sabotimi dhe bojkotimi i punës nuk është zgjidhja e problemeve. Fotot më poshtë janë vetëm disa nga ato që janë marrë nga kamerat e sigurisë të Trepça Sh.A. dhe që janë vendos për të ruajtur pronën dhe sigurinë e ndërmarrjes. Nga këto foto shihet qartë sabotimi dhe bojkotimi i punës, hyrje dalje të pakontrolluara të punëtoreve si dhe sjellja e drekave e darkave për sabotuesit”, thuhet në postim.

Tutje, menaxhmenti i ndërmarrjes kërcënon se do të marrë “shumë shpejt vendime”.

“Menaxhmenti i Trepça Sh.A. do të ndërmerr shumë shpejtë vendime që do të bazohen në argumente dhe fakte, të cilat do të ndihmojnë që ndërmarrja të kthehet në binarët e vet të funksionalizimit. Për Trepça Sh.A”, përfundon postimi.

Fotografitë e publikuara nga Trepça Sh.A:

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer