Komuna e Mitrovicës ka anuluar tenderin me vlerë të parashikuar prej 1,090,000 euro për projektin “Zgjerimi i rrjetit të ndriçimit publik në Shalën e Bajgorës, Koshtovën, Broboniqin, Zhabarin, Iliridën, Shipolin, Qendrën, Bairin, Suhodollin dhe Lushtën”, raporton rajoni.org.
Sipas vendimit të publikuar, procedura e prokurimit është anuluar si rezultat i një rishqyrtimi teknik të bërë nga komisioni vlerësues dhe njësia e kërkesës, në bashkëpunim me hartuesin e projektit.
Në arsyetimin për anulim në vendimin e AK thuhet se gjatë analizës së dokumentacionit teknik dhe përpilimit të paramasës janë identifikuar “rrjedhje teknike në sasi”, të cilat mund të ndikojnë drejtpërdrejt në zbatimin korrekt të projektit.
“Këto mospërputhje janë evidentuar në fazën e vlerësimit të procesit, duke mundësuar ndërhyrjen në këtë fazë për përmirësim të gabimeve, me qëllim që të shmangen komplikimet gjatë fazës së ekzekutimit të kontratës në rast të nënshkrimit të saj”, thuhet në vendimin e Komunës së Mitrovicës.