Në vitin 2009, Komuna e Skenderajt kishte marrë vendim për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme komunale në vendin e quajtur “Fshat”, në tokën e cila gjendej në rr. 28 Nëntori. Pas kësaj, përmes kontratës, afati kohor për dhënien në shfrytëzim të kësaj prone ishte përcaktuar për 40 vjet e ku parashihej ndërtimi i objektit afaristo-banesor që tashmë është emërtuar “Rukolli III”.
Në kohën e nxjerrjes së vendimit kishte qenë në fuqi Ligji për Vetëqeverisje Lokale dhe Ligji nr. 02/L-44 për Procedurën e Dhënies së Koncesioneve. Vendimi mbi caktimin e lokacionit dhe zhvillimit të procedurës së koncesionit për objektin afaristo-banesor i datës 22 maj 2009 nuk përmban dispozitat e këtyre ligjeve.
Ky vendim i referohet ligjeve që rregullojnë materie të ndryshme sa i përket ndërtimit, standardeve ndërtimore dhe procedurës administrative, por që në asnjë prej këtyre ligjeve nuk përfshihet dhënia me koncesion e tokës komunale.
“Në vendimin e datës 22.05.2009 nuk është përcaktuar afati për dhënien në shfrytëzim për faktin se legjislacioni i asaj kohe nuk ka përcaktuar decidivisht siç e përcakton tash Ligji për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës Komunale. Pra vendimi i datës 22.05.2009 është mbështetur në legjislacionin bazik, përkatësisht Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, i cili përcakton vetëm të drejtën e Komunave për dhënien në shfrytëzim të pronave komunale”, thuhet në përgjigjën e Komunës së Skenderajt.
Në kohën kur është nënshkruar kontrata mes Rukollit dhe Komunës, ka qenë në fuqi Ligji nr. 03/L-090 mbi Partneritetet Publiko-Private dhe Koncesionet në Infrastrukturë dhe Procedurat për dhënien e tyre. Pra, përderisa vendimi është miratuar gjatë kohës sa ka qenë në fuqi një ligj, në kohën e nënshkrimit të kontratës kishte qenë në fuqi një ligj tjetër.
Ndërsa, pretendimi i Komunës se vendimi i 22 majit 2009 është mbështetur në legjislacionin bazik përkatësisht në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, nuk është reflektuar në vendim, pasi në bazën ligjore të tij nuk është cituar ky ligj.
Nga kjo kontratë komuna do të ishte përfituese e 21 për qind të vlerës me të cilën ishin vlerësuar njësitë e këtij objekti e që si bazë për caktimin e çmimit ishte marrë një rregullore komunale për caktimin e çmimeve për banesat komunale dhe private.
Me një kalkulim të thjeshtë matematikor, duke u bazuar në çmimin që ishte caktuar në bazë të kontratës, atëherë i bie që, komuna nga shitja e banesave dhe lokaleve afariste do të përfitonte mbi 600 mijë euro, ndërsa kompania “Rukolli” mbi 3 milionë euro, gjithnjë sipas kontratës mes dy subjekteve. Në dhënien me koncesion të një prone shtetërore apo komunale, qëllimi duhet të jetë interesi publik.