E diel, 22 Dhjetor, 2024

Kosova luan sonte me Lituaninë teksa po e pret vendimin e UEFA-s për lojën me Rumaninë

Kombëtarja e Kosovës në futboll do ta zhvillojë sonte ndeshjen e fundit të Grupit 2 të Ligës C në Ligën e Kombeve.

Dardanët do ta presin Lituaninë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, teksa janë në pritje të vendimit të UEFA-s për ndeshjen e ndërprerë me Rumaninë.

Verdhekaltrit janë rikthyer në orët e hershme të së shtunës në atdhe, ndërsa kanë ushtruar atë ditë dhe të dielën lehtë para përballjes së sontme, shkruan “Gazeta Express”.

Trajneri Franco Foda pritet të bëjë ndryshime në formacion dhe me gjasë t’ua japë rastin edhe lojtarëve të rinj, duke e pasur parasysh se kjo ndeshje mund të mos çojë shumë peshë.

Aktualisht, Kosova është e dyta në grup me 9 pikë, tri më pak se Rumania, por që dy Kombëtaret janë në pritje të vendimit të UEFA-s për ndeshjen që deri në minutat shtesë ishte e barabartë, 0:0.

Dardanët u tërhoqën nga fusha për shkak të fyerjeve në baza nacionaliste nga tifozët rumunë.

Sidoqoftë, tash fokusi i Vedat Muriqit me shokë është tek ndeshja e sontme me lituanezët, të cilën synojnë ta fitojnë.

Kosova e kishte mposhtur Lituaninë në udhëtim, ndërsa sonte po ashtu është favorite për të dalë triumfuese.

Ndeshja mes Kosovës dhe Lituanisë do të luhet në Prishtinë duke nisur nga ora 20:45.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer