E shtunë, 2 Nëntor, 2024

Kosova pa trajner e pa stadium e pret sonte shortin e Ligës së Kombeve

Kombëtarja e Kosovës me një kerr probleme përpara vetes do t’i mësojë sonte emrat e kundërshtarëve të Ligës së Kombeve.

Në Paris të Francës, duke filluar nga ora 18:00 do të hidhet shorti i edicionit 2024/25 i Ligës së Kombeve, ndërsa Dardanët e shohin veten në Ligën C, ku gjenden në vazon e dytë së bashku me Azerbajxhanin, Bullgarinë e Ishujt Faro.

Kur e kujtojmë Ligën e Kombeve nuk ka mundësi të mos na shkojë mendja tek ai rast i pashfrytëzuar i Verdhekaltërve për ta siguruar kualifikimin historik në Kampionatin e kaluar Evropian, shkruan “Gazeta Express”.

Përpos asaj humbjeje nga Maqedonia e Veriut, na bie në mend edhe dështimi më i freskët i Kombëtares në kualifikimet e Evropianit të verës që po vjen, në një grup që mund të kalohej dhe fundja kjo ishte kampanjë e Federatës së Futbollit, e cila dukej e sigurt në kualifikim para nisjes së fazës eliminatore.

Dështimi në kualifikime dhe në Ligën e Kombeve, hezitimi i futbollistëve për t’iu bashkuar Dardanëve, ikja e lojtarëve dhe atmosfera e zymtë brenda dhomave të zhveshjes, nuk janë hallet e vetme të Kombëtares.

Derisa sot krejt vëmendja është e fokusuar në Paris, problemet e brendshme janë mjaft shqetësuese.

Kosova edhe në muajin shkurt e sheh veten pa selektor, një muaj para dy miqësoreve të aranzhuara nga FFK-ja në mars, kundër Armenisë në Yerevan dhe ndaj Hungarisë në Budapest, ndërsa në qershor do të ballafaqohet me Norvegjinë në Oslo.

Janë përmendur disa emra deri tash, por asgjë konkrete.

Kryetari Agim Ademi ka zbuluar vetëm se trajneri mund të jetë gjerman, apo gjermano-folës.

Përpos që përballë shortit të sontëm e gjen veten pa trajner, Kombëtarja po përballet edhe me diçka tjetër absurde, me mungesë stadiumi.

Lloçi që e mbuloi fushën e stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë e detyroi Federatën e Futbollit që t’ia vë drynin përkohësisht këtij stadiumi.

Është në plan ndërrimi i komplet barit me shtrimin e një fushe me bar hibrid, i cili është kombinim i barit natyral me atë artificial.

Por, punimet nuk kanë nisur ende dhe kjo e ka detyruar shtëpinë e futbollit kosovar që tri ndeshjet miqësore, dy të marsit dhe një të qershorit, Kombëtares t’ia aranzhojë jashtë vendit, me shpresën që stadiumi të jetë gati për Ligën e Kombeve në shtator…

Natyrisht, problemet e Kombëtares janë veç një reflektim dhe një pasqyrë e atyre të Federatës.

Kjo e fundit, respektivisht kreu i saj, u përball me gjykata dhe me ndalim për një kohë për shkak të problemeve me gjyqin.

Jo vetëm ai, por edhe disa zyrtarë të tjerë të Federatës u ndalën dhe u intervistuan nga Njësiti Kundër Krimeve Ekonomike.

Më pas, problem tjetër i vitit të kaluar ishte moslicencimi për një kohë i Federatës dhe i klubeve të saj, të cilat i humbën miliona euro të sponsorizimeve shkaku i “shtëpisë” së tyre.

Si rezultat, Federata e Futbollit nuk mundi të nxirrte vërtetime dhe ta përfitonte asnjë cent nga marrëveshjet e sponsorizimit në vitin që e lamë pas, shkruan “Gazeta Express”.

Edhe klubeve iu kushtoi kjo pasi përfunduan prapa atyre të basketbollit, që ishin përfituesit më të mëdhenj nga Ligji i Sponsorizimit në vitin 2023.

Ndër të tjera, shtëpia e futbollit kosovar pati rënie edhe në kategorizimin e sporteve për vitin 2024.

Në fakt, Ministria e Sportit e zhvendosi Federatën e Futbollit të Kosovës në Kategorinë B me 83.2 pikë, duke përfunduar kështu prapa xhudos, hendbollit e volejbollit, të cilat e panë veten në Kategorinë A si rezultat i përmbushjes së kritereve si: organizimi i garave ndërkombëtare në Republikën e Kosovës, rezultatet e arritura në garat ndërkombëtare, kriterin e masovitetit në përbërje të numrit të klubeve dhe sportistëve, statusin e sportit, popullaritetin e sportit në nivel ndërkombëtar, traditën e sportit përbrenda vendit, kriterin e gjithë përfshirjes, ngritjen e kapaciteteve të Federatës dhe organizimin e aktiviteteve sportive vendore – kampionatet shtetërore.

Sidoqoftë, Kosova “e turbulluar” do t’i kuptojë sonte emrat e Kombëtareve kundërshtare të Ligës së Kombeve.

Kreu i FFK-së, Agim Ademi së fundmi u shpreh se Kosova do të synojë ta fitojë grupin dhe krejt Ligën C.

Në vazon e parë të kësaj lige gjenden Rumania, Suedia, Armenia dhe Luksemburgu, në atë të tretë kanë përfunduar Maqedonia e Veriut, Sllovakia, Irlanda e Veriut dhe Qipro, kurse në vazon e katërt janë Bjellorusia, Lituania ose Gjibraltari, Estonia dhe Letonia.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer