Saturday, August 16, 2025

KQZ certifikon grupin e tretë me 39 subjekte politike, dy nuk miratohen

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot vendosi për certifikimin grupit të tretë me 39 subjekte politike, prej të cilave 25 iniciativa qytetare dhe 14 kandidatë të pavarur, për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të tetorit.

Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i përgjithshëm i kandidatëve, që përfaqësojnë këto subjekte politike, është: 380 kandidatë, prej të cilëve 25 kandidatë për kryetarë të komunave dhe 355 për anëtarë të Kuvendeve Komunale.

Ndërkaq, dy subjekte politike që ishin paraparë të merrnin miratimin për certifikim sot nuk kaluan.

Anëtari i KQZ-së nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Sami Hamiti tha se emërtimi i iniciativës qytetare “Lidhja e Prishtinës”, është në kundërshtim me parimet e certifikimit të subjekteve politike, pasi, sipas tij, ky emërtim është shumë i ngjashëm me brendin dhe identitetin historik të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Ai theksoi se “Lidhja e Prishtinës” është përdorur nga vetë LDK-ja në të kaluarën, konkretisht në zgjedhjet e vitit 2017, ku ka qenë pjesë e komunikimit zyrtar të partisë në faqen e saj.

“Unë kam vërejtje në këtë iniciativë, në emërtimin e saj. Lidhja e Prishtinës është brend dhe pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës…është sinonim i asaj që e kemi pasur ne, këtë emërtim apo këtë brend, e kemi pasur në zgjedhjet 2017-ës si pjesë në faqen zyrtare të Lidhjes Demokratike. Nëse kësaj radhe ka ardhur Lidhja e Prishtinës, si e tillë për tu certifikuar, ju e dini që në vitin 2021 e kemi pasur të njëjtin rast me Drenasin. Dekada e Re për Drenasin, është shqyrtuar dhe nuk është certifikuar, është rasti i njëjtë…Në aspektin fonetik e ka vetëm një dallim Lidhja e Prishtinës dhe për Prishtinën te lidhësja. Në aspektin semantik asgjë nuk ndryshon”, tha Hamiti.

Lidhur me këtë, drejtori i zyrës për regjistrim, certifikim dhe kontrollin financiar të partive politike në KQZ, Besnik Buzhala, u shpreh se megjithëse në fillim kanë pasur dyshime serioze për emërtimin “Lidhja e Prishtinës”, pas shqyrtimit të thelluar ligjor dhe praktik, kanë arritur në përfundimin se nuk ka bazë ligjore për ta refuzuar certifikimin e këtij subjekti politik.

“Është e vërtetë që kur na ka ardhur për aplikim Lidhja e Prishtinës në Zyre kemi qenë goxha të bindur se është në kundërshtim dhe krijon konfuzitet, është i ngatërrueshëm e të tjera. Kur i kemi gjetur dokumentet vitit 2021 dhe e kemi parë… ligji kur fol për emrat identikë apo të ngjashëm është komplet i njëjtë me ligjin që është shfuqizuar. Ne e kemi marrë e kemi trajtuar këtë rast me kujdes dhe kemi konstatuar edhe në vitin 2021 kur ka ndodhë kjo ka qenë e gabuar. Sepse platformat politike dhe sloganet r partive politike që janë përdorur në të kaluarën nuk kategorizohen si ndalesa ligjore, nëse një subjekt politik i ri përdor një emërtim të ngjashëm në slogan…Ne gjithashtu i kemi analizuar edhe praktikat evropiane që i shtjellojnë çështjen e emërtimeve politike, aq më shumë rregullat e Bashkimit Evropian…Në fund ne kemi ardhur në konstatimin që zyra duhet ta rekomandojë për certifikim Lidhjen e Prishtinës”, potencoi Buzhala.

Megjithatë, pasi u hodh në votim me pesë vota për, një kundër dhe disa abstenime, certifikimi i iniciativës qytetare “Lidhja e Prishtinës” u refuzua.

Po ashtu, Zyra për regjistrim, certifikim dhe kontrollin financiar të partive politike në KQZ, ka tërhequr nga lista iniciativën qytetare “Lëvizja për Bashkimin e Shqipëtarëve”, për shkak të gabimit drejtshkrimor në fjalën “Shqipëtarëve”.

Kundër certifikimit të këtij subjekti u shprehën anëtari i KQZ-së nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj dhe anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Krasniqi.

Nitaj tha se emri i subjektit përmban një gabim të qartë drejtshkrimor, konkretisht në fjalën “Shqipëtarëve”, e cila duhej të shkruhej “Shqiptarëve”.

Ai tha se gabime të tilla nuk janë çështje formale apo të interpretueshme, por lidhen direkt me identitetin kombëtar.

Kur drejtori i Zyrës, Besnik Buzhala, u përpoq të shpjegonte se është një përcaktim i vetë subjektit, Nitaj u përgjigj prerazi se nuk është çështje e diskrecionit të tyre të shkruajnë fjalën “shqiptar” si të duan, por se duhet të respektojnë drejtshkrimin standard të gjuhës shqipe, veçanërisht kur bëhet fjalë për emërtimin e kombit.

“Ju e lexuat mirë Lëvizja për Bashkimin e Shqiptarëve. Këtu fjala ‘shqiptarëve’ është e shkruar gabim…Edhe kur emrin e kombit e shkruajnë gabim kanë të drejtë apo si…-(Buzhala) Është përcaktim I tyre. -Nitaj: Këto të tjerat i kuptoj, por kur është emri i kombit nuk do të duhej lënë diskrecioni aty ta shkruajnë si të duan. Ligji ka një logjikë kur interpretohet. Nuk është në vullnetin e tyre fjalën ‘shqiptar’ ta shkruajnë si të duan, por si shkruhet”, tha Nitaj.

Ndërkaq, anëtari KQZ-së nga LVV-ja, Alban Krasniqi tha se nëse nuk ndryshohet shkronja, nuk do të votojë për certifikimin e kësaj iniciative.

“Nëse nuk ndryshon kjo shkronjë unë nuk e votoj. Është diçka që, nesër ta sjellë dikush qëllimshëm”, tha Krasniqi.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer