Thursday, June 19, 2025

KQZ: Kandidati për kryetar komune duhet të jetë banor i asaj komune, së paku 3 vjet

Kandidati për kryetar të komunës duhet të ketë qenë për së paku 3 vjet banor i komunës, në të cilën ai/ajo kërkon të garojë.

Ky është një nga kushtet shtesë që kërkohen për kandidatët për kryetarë të komunave, përveç atyre kushteve që dalin nga neni 30 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka shpjeguar për EkonomiaOnline se kërkesa për të qenë së paku 3 vite banor i komunës është kërkesë nga Ligji për Zgjedhjet Lokale.

“Përveç kushteve që kërkohet të plotësohen sipas nenit 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, në nenin 9, paragrafin 2 të Ligjit për Zgjedhjet Lokale kërkohet që kandidati për Kryetar të Komunës të ketë qenë për së paku 3 vite banor i komunës në të cilin ai/ajo është duke garuar për t’u zgjedhur si Kryetar i Komunës”, tha Elezi.

Ndryshe, sipas Nenit 30 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, një person nuk mund të certifikohet si kandidat nëse ai/ajo është: funksionar me status të veçantë në bazë të Ligjit në fuqi për Zyrtarët Publikë; anëtar i shërbimit të jashtëm dhe përfaqësues diplomatik; kryesues apo anëtar i KQZ-së dhe Komisionit Komunal të Zgjedhjeve; zyrtar i PZAP-it; me anë të vendimit të gjykatës, duke përfshirë edhe vendimin e PZAP-it, i është hequr e drejta për të qenë kandidat; është dënuar në tre vjetët e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv; ka dështuar të paguajë gjobën e vënë nga PZAP-i, ose KQZ-ja; ose ka dështuar t’i përmbahet ndonjë urdhri të PZAP-it.

Për të gjitha këto kufizime, KQZ do të kërkojë verfikimin e kandidatëve nga institucione të ndryshme shtetëore.

E afati për aplikim të subjekteve politike do të zgjasë 49 ditë, duke filluar nga 26 qershori deri më 13 gusht 2025. Sipas Elezit, është në vullnetin e subjekteve politike që të vendosin për numrin e komunave në të cilat do të garojnë.

“Duke filluar nga 26 qershor dhe deri më 13 gusht 2025, partitë politike, koalicionet, iniciativat qytetare dhe kandidatët e pavarur mund të paraqesin në KQZ, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, kërkesën e tyre për t’u certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvendet Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025. Gjatë kësaj periudhe, subjektet politike duhet të dorëzojnë edhe listat e tyre me emrat e kandidatëve për Kryetar Komune dhe për Kuvende Komunale. Është krejtësisht në vullnetin e subjekteve politike që të përcaktohen se në cilat komuna duan të garojnë. Po ashtu, është në vullnetin e subjekteve politike që të zgjedhin nëse në një komunë të caktuar do të garojnë vetëm në zgjedhje për Kryetar Komune ose për Kuvend Komunal apo për të dyja së bashku”, tha Elezi.

Më 9 qershor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, caktoi datën 12 tetor 2025 për mbajtjen e Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer