E mërkurë, 20 Nëntor, 2024

Kritikohet gjuha e pushtetit ndaj institucioneve të drejtësisë, kërkohet intervenimi i ndërkombëtarëve

Rasti më i freskët është “sulmi” ndaj kandidatit për kryeprokuror të Shtetit, Blerim Isufaj. Ndaj këtij të fundit, ekzekutivi e legjislativi hedhin akuza dhe e konsiderojnë të padenjë për të udhëhequr sistemin më të lartë prokurorial.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka thënë se politika nuk duhet t’i komentojë vendimet e institucioneve të drejtësisë. Thotë se një gjë e tillë është anti-Kushtetues.

“Instituti i Kosovës për Drejtësi në vazhdimësi e ka potencuar që politika, Qeveria e deputetët do të duhej që të ishin indiferent në raport me ushtrimin e kompetencave dhe përgjegjësive që i ka sistemi gjyqësor dhe ai prokurorial. Kushtetuta e Kosovës e ka bërë një ndarje të hekurt të ndarjes së pushteteve mes institucioneve, asnjë politikan nuk do të duhej që të komentonte në publik punën e gjykatave dhe prokurorive sepse kjo bie ndesh me Kushtetutën tonë, praktikat dhe standardet ndërkombëtare të cilat janë të qasshme dhe të aplikueshme në Kosovë”, thotë Miftaraj për EO.

Miftaraj ka përmendur raste kur këto institucione lavdërohen nga politikanët pas vendimeve në favor të tyre. Të kundërtën thotë e bëjnë kur nuk iu pëlqen vendimi.

“Është një standard i dyfishte nga ana politikanëve nëse të njëjtin institucion, prokurorinë apo gjykatën për një rast të caktuar e falënderojnë ose i shprehin mirënjohje për punën e mirë dhe nëse në rastet tjera kur janë subjekt i hetimeve bashkëpartiakët e tyre në një mënyrë i akuzojnë dhe i gjykojnë në publik dhe kjo qasje duhet të ndalët dhe nuk duhet të vazhdojë tutje sepse e cenon në radhë të parë pavarësinë e sistemit të drejtësisë në institucione si KGJKPK por edhe ulë besimin e qytetarëve dhe publikut në punën e këtyre institucioneve”, thotë Miftaraj për EO.

Kritika për qasjen e pushtetit ndaj sistemit të drejtësisë, ka edhe avokati, Xhevdet Smakiqi. Ai ka përmendur akuzat e Presidencës në drejtim të Këshillit Prokurorial të Kosovës, rreth mosdekretimit të Blerim Isufajt për kryeprokuror.

“Në Qeverinë aktuale dhe në Presidencën aktuale të zonjës Osmani kemi një krizë kushtetuese që e  shkaktoi vet Presidentja sepse të gjithë e dimë që ajo është juriste por edhe ne avokatët e dimë që roli i presidentes në dekretimin e kryeprokurorit të shtetit është formal juridik ceremonial sepse Këshilli Prokurorial i Kosovës është organ i pavarur dhe e gëzon pavarësinë e plotë në përzgjedhjen e kandidatit për kryeprokuror të shtetit, për ndryshe këtë situatë e shoh si një krizë kushtetuese e cila po i shkakton shumë telashe sistemit të drejtësisë, kredibilitetit të saj dhe ka qenë e panevojshme”, ka thënë Smakiqi.

Teksa ka folur për deklaratat e politikanëve, Smakiqi ka kërkuar reagim nga faktori ndërkombëtar.

“Deklaratat e pushtetit janë në kundërshtim me pretendimet e shtetit të Kosovës që t’i bashkohet Bashkimit Evropian sepse edhe diplomatët e Bashkimit Evropian dhe të Komisionit Evropian por edhe Departamenti Amerikan që duhet me qenë më të zëshëm që të i tregojnë presidentes që ajo nuk duhet të ndërhyjë në këtë proces, pastaj kemi pasur edhe një degradim edhe më të madh kur Komuna e Prishtinës e ka etiketuar një gjyqtare se kinse ajo ka vepruar njëanshëm dhe qasja dhe politikat amatoreske për të komentuar mbi vendimet konkrete të gjykatave pra po shpërndahet në vend se të zvogëlohet, mendoj që faktori ndërkombëtarë duhet të intervenojë në këtë pikë dhe me një fjalë të parandalojë sepse opozita është shumë e zbehur në këtë aspekt”, u shpreh ai.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer