Udhëheqësi i opozitës ruse Alexei Navalny i cili po vuan një dënim prej nëntë vitesh në burg, u dënua të premten nga një gjykatë me 19 vjet burg nën akuzat për ekstremizëm. Dënimi i tij aktual është për një sërë akuzash, për të cilat ai thotë se ishin të motivuara politikisht.
Akuzat e reja ndaj politikanit lidhen me aktivitetet e fondacionit antikorrupsion të zotit Navalny dhe deklaratat e bashkëpunëtorëve të tij të lartë.
Ky është dënimi i pestë i opozitarit, veprim që shihet nga mbështetësit e tij si një strategji e qëllimshme e Kremlinit për t’i mbyllur gojën kundërshtarit më të zjarrtë.
Prokuroria kishte kërkuar 20 vite burg për opozitarin Navalny, ndërsa vetë ai ishte shprehur paraprakisht se priste një dënim të gjatë.
Aktualisht, zoti Navalny po vuan nëntë vjet burg nën akuzat për mashtrim dhe shpërfillje të gjykatës. Në vitin 2021 ai u dënua me 30 muaj burg për shkelje të lirimit me kusht. Gjykimi për ekstremizëm u krye me dyer të mbyllura në burgun ku ai po kryen dënimin, në lindje të Moskës.
Zoti Navalny u shfaq të premten pasdite në sallën e gjyqit i veshur me rroba burgu dhe dukej i dobët, por me një buzëqeshje sfiduese.
47-vjeçari Navalny është armiku më i ashpër i Presidentit Vladimir Putin, ka ekspozuar korrupsionin zyrtar dhe ka organizuar protesta të mëdha kundër Kremlinit.
Ai u arrestua në janar të vitit 2021 pasi u kthye në Moskë nga Gjermania ku po kurohej pas helmimit me agjent nervor, për të cilin fajësoi Kremlinin./VOA/