Hasan Krasniqi është larguar përkohësisht nga pozita e kryeshefit ekzekutiv të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Gjakova, pas arrestimit lidhur me dallevere për një tender të kësaj ndërmarrje publike.
Vendimi është marrë më 22 mars nga bordi i drejtorëve të kësaj ndërmarrjeje pas një mbledhje të jashtëzakonshme, ku citohet edhe aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit.
“Bordi Drejtorëve i KRU” Gjakova”‘Sh.A.-Gjakovë, në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur me date 22.03.2025, shqyrtoi Aktvendimin e Gjykatës Themelore Prishtinë – Departamenti Special, lidhur me çështjen e Kryeshefit Ekzekutiv z.Hasan Krasniqi. Në bazë të këtij Aktvendimi dhe konform nenit 73, paragrafi 1 pika 1.2 të Ligjit të Punës të Republikës sẽ Kosovës, u vendos largimi i përkohshëm nga puna i z. Hasan Krasniqi, për shkak të caktimit të masës së paraburgimit nga Organet kompetente të drejtësisë të Republikën së Kosovës”, thuhet në arsyetim.

Krasniqi dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në dosjen e Prokurorisë, thuhet se Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KRU “Gjakova”, me dashje dhe dijeni kishte vepruar në kundërshtim me autorizimet ligjore të parapara për këtë pozitë dhe rregullat e zbatueshme të prokurimit publik, në atë mënyrë që lidhur me aktivitetin e prokurimit “Furnizimi me barkë” kishte ndërmarrë veprimet e kundërligjshme.
Aty thuhet se më 5 korrik 2024, me sugjerimin dhe kërkesën e tij, të adresuar nga Visar Hasi- drejtor teknik në KRU “Gjakova”, ishte parashtruar kërkesa për inicimin e procedurës prokurimit, duke vendosur kritere teknike të cilat ishin qartazi favorizuese për OE (Operatorin Ekonomik) fitues “Lind Fix” ShPK, duke përjashtuar kështu të gjithë konkurentet e tjerë. Të dhënat specifike të barkës, thuhet se i dyshuari Krasniqi i siguroi nga pronari i barkës Arlind Hasimja, me të cilin janë në marrëdhënie miqësie.
Gjithnjë sipas kërkesës, kriteret favorizuese për OE fitues dhe përjashtuese për OE konkurrues, ishin bartur në dosjen e tenderit për këtë aktivitet të prokurimit dhe me krijimin e Komisinit për vlerësimine oferatve i kishte vendosur anëtraët e saj në një çështje të kryer, pasi që dihej fituesi.
Sipas Prokurorisë, OE fitues “Lind FIX” shpk, ishte shpallur fitues i tenderit me çmimin 24 mijë e 500 euro. Kurse, kontrata për furnizimin me barkë u nënshkrua më 16 gusht 2024.
Pasi ishin caktuar menaxheri i kontratës dhe mbikëqyrësi i drejtpëdrejtë i menaxherit të kontratës, Prokuroria thekson se ishte formuar Komisioni për pranimin teknik për pranim të barkës për tenderin në fjalë. Më pastaj, Komisioni kishte bërë pranimin e barkës.
Kjo thuhet se u bë duke u shkrepur katër fotografi të saj në oborrin e KRU “Gjakova”, duke mos kërkuar e as verifikuar dokumentacionin përcjellës të barkës, përfshirë kontratën e shitblerjes, faturën e blerjes, kartelën e bankës si dhe dokumentacionin doganor për kryerjen e procedurave doganore për mallin. Pas kësaj, thuhet se u përpilua edhe raporti për pranimin e barkës.
Sipas Prokurorisë, më 9 shtator 2024, pas verifikimi të dokumentacionit dhe procedurave, si dhe miratimit nga drejtori teknik Visar Hasi dhe kryeshefi ekzekutiv Hasan Krasniqi, u ekzekutua pagesa në shumën 24 mijë e 500 euro për “Lind Fix” ShPK
Me këto veprime, Krasniqi dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.2 të Kodit Penal.
Po ashtu, i pandehuri Hasan Krasniqi, si kryeshef ekzekutiv i KRU “Gjakova”, dyshohet se ka falsifikuar dy kontrata të qiramarrjes së barkës. Ai thuhet se kishte nënshkruar në emër të Eranda Canhasi Gashit, e cila nuk i kishte firmosur ato, ndërsa mjetet kishin kaluar në llogarinë e “Lind Fix” ShPK, në emër të Arlind Hasimes.
Me këto veprime, dyshohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar” sipas nenit 427, par. 1 të Kodit Penal.
Aty thuhet se gjatë kontrollit të kryer më 18 mars 2025, u sekuestruan dëshmi që ndërlidhen me veprën penale: para të gatshme 22 mijë e 205 euro pa dëshmi mbi prejardhjen e tyre, një telefon, një laptop, dy kontrata të marrëveshjes dhe një barkë.
Agjencia për Informim dhe Privatësi, ka dënuar me gjobë “KRU “Gjakova”. Gjoba prej 3 mijë euro u dha pasi kanë kufizuar qasjen në dokumentet për një tender. Sipas AIP, “KRU “Gjakova” nuk ka zbatuar vendimin për t’i ofruar qasje në dokumente një kompanie lidhur me tenderin “Furnizim me dy kamioneta për nevojat e mirëmbajtjes”.
Në vendimin për të cilin raportoi Insajderi, thuhet se KRU “Gjakova” shumën prej €3,000.00 (tremijë eurosh) duhet ta paguajë në afat prej 30 ditësh.
“Shqiptohet gjobë ndaj KRU “Gjakova” për moszbatimin e vendimit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi Nr. A-1132/2024 të datës 29.01.2025, në shumën prej €3,000.00 (tremijë eurosh) për refuzim ndaj kërkesës për qasje në dokumente publike. Obligohet KRU “Gjakova” që shumën prej €3,000.00 (tremijë eurosh) ta paguajë në afat prej 30 ditësh në xhirollogarinë e autoritetit kompetent për shqiptimin e gjobës nr. 1000400070005127/ Banka Qendrore e Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.
Gjoba është marrë pas refuzimit për të ofruar qasje në në dokumente publike dhe informacione lidhur me aktivitetin e prokurimit “Furnizim me dy kamioneta për nevojat e mirëmbajtjes”.
“Institucioni publik, megjithëse paralajmërimin e AIP-së qe kishte vetëm shtatë ditë afat për ta jetësuar në terësi kërkesën e palës ankuese, duke i ofruar qasje ne dokumentet dhe informacionet e kërkuara, nuk e ka përfillur Njoftimin për Shqiptimin e Gjobës Administrative të AIP-së. Andaj, Agjencia për Informim dhe Privatësi, duke vënë re qasjen mospërfillëse te këtij institucioni publik për të jetësuar në tërësi te drejtën e palës ankuese për qasje ne dokumente publike, është detyruar te vazhdoj me hapin e radhës të shqyrtimit të kësaj ankese, duke nxjerre vendimin Nr. Gj-1132/2024, përmes të cilit i shqiptohet gjobe institucionit publik në fjalë”, shkruhet në vendimin e marrë nga AIP.