Monday, March 31, 2025

Kryeshefi i Termokosit: Konsumatorët u faturuan për shpenzim real, 65% me fatura më të lira

Kryeshefi Ekzekutiv i Ngrohtores “Termokos”, Fisnik Osmani, e ka vlerësuar sfidues këtë sezon të ngrohjes. Ai është përgjigjur edhe për ankesat e shumta të konsumatorëve, të cilat janë shprehur të pakënaqur me çmimet e faturave. Ai ka theksuar se çmimet e faturimit caktohen nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) dhe se tarifa për matje këtë vit është më e ulët se vitin e kaluar, por se ai për metër katrorë është i njëjtë.

Ndryshimi i sistemit të faturimit është bërë pas implementimit të projektit “Prishtina HeatSave”, në kuadër të cilit janë instaluar pajisje të matjes në mbi 17,500 njësi banimi.

“…siç e di edhe opinioni kemi disa vërejtje të konsumatorëve për shkak të ndërrimit të metodologjisë por jo ndërrimit të çmimit, për shkak se çmimi i aprovuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, ka qenë i njëjtë për m2 siç ka qenë në sezonin paraprak, ndërsa për matje ka qenë më i lirë për disa cent për gjithë konsumatorët. Faturat e Ngrohtores kanë shkuar tek konsumatorët për shpenzimin real të cilin konsumatorët e Prishtinës e kanë bërë. Pra, ne kemi pranuar disa ankesa të cilave iu kemi përgjigjur në masë mbi 95 për qind, dhe duhet të jemi të qartë se Termokosi si ndërmarrje publike operon në treg të rregulluar, tarifat e këtyre rregullimeve i bën ZRrE-ja, përfshirë edhe aprovimin e metodologjisë. Termokosi nuk ka të drejtë dhe autorizim të caktojë dhe përcaktojë çmim, pra ne e implementojmë metodologjinë e parapërcaktuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë dhe në këtë drejtim kemi lëvizur”, u shpreh Osmani.

Kryeshefi i “Termokosit” ka thënë se në këtë sezon kanë arritur ta kursejnë energjinë dhe faturat e konsumatorëve. Sipas tij, mbi gjysma e konsumatorëve kanë pranuar fatura më të ulëta sesa periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Në bazë të numrave që ne i kemi, nga fillimi i sezonit deri në fund të muajit mars, ne kemi kursim të energjisë dhe kursim të qytetarëve në faturat e tyre, mesatarisht në secilin muaj nga shkurti e deri sot, mbi 65 për qind të qytetarëve në Prishtinë kanë pranuar fatura më të lira, se sa që i kanë pranuar vitin e kaluar me m2 dhe këtë po e flas me kompetencë dhe përgjegjësi në bazë të statistikave të të dhënave dhe matjeve të cilat ne i kemi”, u shpreh tutje Osmani.

Osmani ka shtuar se në këtë sezon nuk ka ndodh të mos ketë ngrohje me ditë të tëra, përveç defekteve për disa orë.

“I kemi pasur disa defekte teknike në zonat të ndryshme të qytetit, mirëpo të gjitha kemi me i arrit me ekipet tona të mirëmbajtjes të departamenteve përkatëse me i menaxhua shpejt dhe me përfunduar në kohë optimale në mënyrë që me e rikthye furnizimin e rregullt. Vlen të përmendet që nuk kemi raste ku ka ndodh mosfunksionaliteti me ngrohje për ditë të tëra, përveç brenda disa orëve është dashur me u rikthye ngrohja dhe e kemi bërë një gjë të tillë”. ekonomiaonline

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer