Monday, April 6, 2026

Kurti: Jam optimist se do ta arrijmë një marrëveshje politike me Abdixhikun, jemi të përcaktuar t’i shmangim zgjedhjet

Kryeministri Albin Kurti tha se është optimist për arritjen e një “marrëveshjeje politike” me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Pas një takimi në Kuvend me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, Kurti tha se çështja e Presidentit nuk ishte e vetmja që u diskutua.

“Çështja kryesore që u diskutua, por më duhet të them, jo e vetmja, është pikërisht fakti që na kanë ngelur edhe tri javë deri te zgjedhja e Presidentit dhe për këtë duhet t’i maksimalizojmë përpjekjet”, tha ai.

Kurti tha se takimi me Abdixhikun “shkoi në një atmosferë kosntruktive dhe dashamirëse”.

“Jemi të përcaktuar që t’i shmangim zgjedhjet e reja, sepse zgjedhjet e reja nuk do të ishin zgjidhje për numrin prej 80 deputetësh”, tha ai.

“Unë vazhdoj të jem optimist se me takime dhe bisedime të këtilla do të mund ta arrijmë një marrëveshje politike, por këtë nuk mund ta them që e kemi sot. Veçse atmosfera konstruktive në njërën anë dhe dashamirësia që t’i shmangim zgjedhjet e reja që nuk janë zgjidhje e re në anën tjetër, më bën optimist për këto tri javët e mbetura që uroj të mos i shfrytëzojmë deri në ditën, apo nganjëherë siç po bëhet në institucionet tona, orën e fundit”, tha Kurti.

Kryeministri u pyet për opsionet që u shqyrtuan në takimin e sotëm, ndërsa tha se duhet ta ruajnë “konfidencialitetin e bisedimeve”.

“Tash, ne jemi udhëheqës të subjekteve që janë demokratike dhe jemi transparentë sa i përket procesit, mirëpo megjithatë takimi ishte ‘tête-à-tête’ dhe ne duhet ta ruajmë konfidencialitetin e bisedimeve”, tha ai.

“Në momentin kur bisedimet, iniciativat sjellin rezultat konkret, atëherë do të mund të përgjigjemi konkretisht për të arriturat. Por përderisa ky nuk është rasti, nuk mund të flasim për mendime që i themi aty, e të cilat as nuk kanë sjellur dështim, por as sukses”, tha Kurti.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer