Kryeministri Kurti ka përkujtuar dy masakra të regjimit të Millosheviqit të kryera me 26 shtator të vitit 1998.
Në masakrën e Abrisë u vranë 22 anëtarë të familjes Deliu, në mësin e tyre edhe fëmijë
Postimi i plotë:
“Kur i pashë trupat e vajzave dhe nënës së tyre, ishte e qartë që ato kishin ikur dhe kishin provuar të fsheheshin nën shkurre. E kuptova që ata burrat i kishin kërkuar dhe i kishin qëlluar me armë aty ku i kishin gjetur. Kishte edhe anëtarë të tjerë të familjes të vrarë përreth. Ishte e qartë që ata ishin përpjekur të zvarriteshin nëpër pyll për të shpëtuar. Isha i shokuar nga brutaliteti, urrejtja…” Kështu rikujton gazetari dëshmitar, Wade Goddard, që dëshmoi para botës me fotografi masakrën e parë në Abri të Epërme të Drenasit. Më 26 shtator 1998, pjesëtarë të tri njësive të policisë së Serbisë dhe kontigjente të Ushtrisë Jugosllave, hynë në fshat. Anëtarët e familjes Deliu po strehoheshin në mal. Ata i qëlluan nga afërsia e pastaj ua gjymtuan kufomat. Masakra e Abrisë është një nga krimet më mizore të gjenocidit të Serbisë në Kosovë. Për të askush nuk është dënuar. Atë ditë i masakruan 22 anëtarë të familjes Deliu. Më i moshuari ishte Fazli Deliu 94 vjeç. Më i riu, u privua nga jeta që në barkun e nënës. Luljetës shtatzënë ia prenë barkun me foshnjën e palindur. E vranë edhe Mihanen, në krah me të birin, Mirin. Mihane Gashani Deliu, më 25 shtator kishte pasur ditëlindjen e 28-të. Valmir Deliu, më 21 shtator, kishte pasur ditëlindjen e dytë. Diturije Deliu, foshnja që ishte gjetur e gjallë në kraharorin me gjak të nënës, nuk mbijetoi. Ajo vdiq më 19 nëntor 1998, rrugës për në fshatin Tërdec, derisa po dërgohej te një mjek i luftës. I kishte vetëm 95 ditë jetë. Më 26 shtator 1998, forcat e armatosura serbe hynë edhe në fshatin Gollubovc të Malishevës. Aty i vranë 13 burra shqiptarë, civilë të paarmatosur. Pas torturave disa orëshe, ata i shtrinë përtokë, me duar pas koke. U ekzekutuan nga policia, një nga një, me nga dy plumba. Për këto krime askush nuk është dënuar. Në përvjetorin e 26-të, përkujtojmë 23 martirët e masakrës në Abri të Epërme dhe 13 martirët e vrarë në Gollubovc. Përkujtojmë Valdet Xhemajlin, Vesel Demakun e Afrim Hajdarajn, që ranë dëshmor atë ditë, duke mbrojtur popullatën civile. Nuk i harrojmë të rënët në rrugën e vështirë deri te çlirimi. Nderojmë kujtimin për ta duke u angazhuar për forcimin e Republikës sonë. Lavdi të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës! I përmotshëm qoftë përkujtimi i të gjallëve për ta” shkruan Kurti në Facebook.