Shefja e grupit parlamentin të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka dorëzuar kallzim penal ndaj ish Nënkryetarit të Kuvendit, ish deputetit dhe zyrtarit të Listës Serbe, Slavko Simiq.
Kusari-Lila këtë e ka bërë pas publikimit të inçizimeve.
“Inçizimi dhe publikimi i inçizimit të jashtëligjshëm nga ish Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Slavko Simiq, shpërndarja e tyre me interpretime dhe ndërhyrje, nuk e kanë qëllimin as informimin e drejtë, as ndonjë parim tjetër. Ato janë akte penale në njërën anë, dhe aktivitete dizinfomuese nga ana tjetër”.
Këtë Kusari-Lila e ka quajtur si përfitim material dhe partiak.
“Përveç jashtëligjshmërisë së inçizimit, pastaj përcjelljes për përfitim material dhe personal, partiak, me qëllim denigrimin e tjetrit për shkak të detyrës që mban, sekuencat kohore të materialit janë ndryshuar e materiali është manipuluar”, u shpreh Kusari-Lila.
Sipas saj, Slavko ka deformuar edhe përmbajtjen.
“Nuk i ka mjaftuar inçizimi, kjo vepër e rëndë penale por kanë vijuar dhe me deformimin e përmbajtjes. Gjuha me qëllim nxitjen e urrejtjes, mosdurimit dhe denigrimit të tjetrit e përdorur gjatë komentimit të materialit, ka nxitur kërcënimet ndaj meje nga persona të caktuar. Edhe ato janë paraqitur tek autoritetet relevante.