“Si sot e mbaj mend kur në vitin 2010 e pata xhiruar një dokumentar për ujërat me Komisionin Europian.
Patëm shkuar në Skënderaj me pa rregullimin e shtratit të lumit që po bëhej nga komuna e Skënderajt me sa mbaj mend punimet po i kryente kompania “Rukolli”.
Ka qenë një inxhiner belg dhe në takim na priti kryetari i Skënderajt Sami Lushtaku. Ndër të tjera ai i Komisionit Europian nxori një lap top dhe me disa harta 3D po i shpjegonte me grafikë e statistika Sami Lushtakut dhe drejtorëve të tij se shtrati i lumit është i vogël dhe i projektuar keq dhe se nëse ka reshje të mëdha rrezikon të përmbytet qyteti.
Pasi mbaroi prezantimin ai i huaji, Sami Lushtaku duke qesh me ironi na kthehet neve shqiptarëve që ishim prezent: “hahah ky koka lopë krejt, unë aty i kam rujtë loptë e di se sa ujë bjen ky lumë e ky ka ardh prej Belgjike e po më kallxon mu tërrta mërrta…”
Pas kësaj shpërthyen të qeshura dhe zgërdhirje nga vartësit e Sami Lushtakut që ishin prezent!
Me qeverisje e punë të stilit “xhanarqe” duke shpenzuar miliona euro përfundoj rregullimi i shtratit të lumit, ndërkohë kjo është gjendja e qytetit të Skënderajit sot.”
Kështu ka shkruar një protagonist i kësaj ngjarjeje (Jeton Sopa) në profilin e tij në fb i prekur pas këtyre vërshimeve. Tash, nëse kjo është kështu po i bie që më shumë është kujdesur ai belgu për banorët e kësaj ane, se ata që ne i kemi zgjedhur që ta kryejnë detyrën e vet. Këtë rast sipas këtij shkrimi Lushtaku së bashku me kompaninë “Rukolli”, për të cilën dihet se cila kompani ka qenë dhe a ka mundur ndonjëkush të marrë tender në Skënderaj pos kësaj kompanie në kohën e Lushtakut (që nënkuptohet se kanë pasur raporte të ngushta).
Po çka u punua në shtratin e lumit Klina apo më mirë të themi “çka u mbrapshtpunua”?!
S’ka qeverisje në komunën e Skënderajt që s’u marrë me rregullimin e shtratit të lumit Klina; prej asaj të Ramadan Gashit e të Bekim Jasharit e deri tash së fundi tek e Fadil Nurës. Për këtë shtrat janë dhënë me qindra mijëra euro apo ndoshta edhe miliona, por një rigë sado e vogël lumi po “merr” arat.
Fillimisht është dhënë në rregullimin e shtratit brenda qytetit dhe kjo ka ndodhur më së paku 5-6 herë brenda këtyre 20 viteve dhe tek i njëjti pushtet ka ndodhur që brenda një mandati ta rregullojë deri tri herë sepse u punuaka “mirë”.
Ka pasur rast pastrimi ku e kanë filluar vetëm sa për t’u fotografuar dhe pasi kjo ka ndodhur puna s’ka bërë “zvërc” më, ndodhi si në Skënderaj më.
Po, një gjë mjaft e pakuptimtë, që ka ndodhur në pastrimin e shtratit të lumit Klina ka qenë puna “bithprapë”, që pushtetet kanë punuar në këtë lumë dhe pikërisht si pasojë e kësaj ka pasur e ka për të pasur vërshime të mëdha.
Në vend që lumi të pastrohet dhe të zgjerohet në drejtim të rrjedhës së ujit, pra nga Kuqica e teposhtë këta në vazhdimësi e kanë pastruar kah fundi apo më mirë të themi kah njerëzit me ndikim nga Llausha e përpjetë dhe kur vinte llumi prej Kuqice e mbushte sërish krejt shtratin. Puna i binte “të nxirrje ujë me shoshë’’, dhe kjo mënyrë e pastrimit të shtratit ka ndodhur në të gjitha mandatet.
Në lidhje me këtë çështje për Rajonin ka folur anëtari i ish-Komitetit për Emergjencë. Ai ka thënë se ish-Komiteti për Emergjencë i formuar nga qeverisja e Bekim Jasharit, pas monitorimit të rrjedhës së lumit, si zgjidhje të vetme e të qëndrueshme e kishte parë nxjerrjen e rekomandimit që të bëhet zgjerimi i shtratit me kastaster, sepse edhe nga banorët dukshëm ishte ngulfatur shtrati.
Pra, kishte ozurpime dhe ngushtime të shtratit. Mirëpo, për çudi as ky rekomandim yni nuk ishte aprovuar, ka thënë ish-anëtari i këtij komiteti./Rajoni.org/